Lajme

Jep dorëheqje zv/ministrja e Arsimit, i kthehet punës akademike

Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna, ka bërë me dije se është dorëhequr nga kjo pozitë, për t’iu kthyer punës akademike në arsim e shkencë.

Ajo shkroi në Facebook të martën se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se takimi përshëndetës ishte në frymë pozitive.

“Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, kolegë e miq,

Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti.

Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim.

Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare.

U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim.

Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë.

Përzemërsisht,

Dr. Edona Maloku Bërdyna

/Shqip.com