Lajme

Jep dorëheqje drejtori i televizionit në RTK

Festim Kabashi, ish-Drejtor i Televizionit në RTK

Festim Kabashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të televizionit në RTK.

Kështu ka bërë të ditur vetë Kabashi përmes një njoftimi të publikuar në Facebook.

Ai tha se dorëheqjen ia ka dorëzuar drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Një e gjetur e ZKA-së, që s’lidhet aspak me punën time profesionale, (e shndërruar në kauzë fiktive nga elementë të caktuar), ka muaj që po shfrytëzohet nga Bordi si mjet presioni ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për të gjetur zgjidhje për të më larguar nga pozita e drejtorit të Televizionit.

Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet”, ka shkruar Kabashi.

Radio Televizioni i Kosovës

Theksojmë se në qershor të këtij viti, Zyra Kombëtare e Auditorit pas gjetjeve të tyre, kanë konstatuar se zgjedhja e Kabashit Drejtor i Televizionit në RTK, ishte bërë duke mos përfillur disa kushte të caktuara.

Në raportin e performancës të hartuar nga ZKA thuhet se gjatë procedurave të rekrutimit dy kandidatët finalistë ishin notuar me pikë të njëjta.

“Njëri nga këta kandidatë është përzgjedhur fitues pa ndonjë arsyeshmëri më shumë pse është përzgjedhur dhe cila ka qenë përparësia e tij karshi kandidatit tjetër me pikë të njëjtë. Kemi vërejtur se nuk janë përfillur kushtet e përcaktuara që definojnë se “përparësi kanë kandidatët me përvojë më të gjatë”. Në këtë rast kandidati i cili nuk është përzgjedhur, në bazë të dëshmive ka përvoje më të gjatë në fushën e kërkuar. Personi i cili nuk është përzgjedhur në pozitën Drejtor i TV-së, më pas është përzgjedhur në pozitën Zv. Drejtor i Përgjithshëm”, ka gjetur ZKA.

Sipas ZKA-së, Bordi i RTK-së nuk kishte qenë i njoftuar mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve por vetëm i janë dorëzuar emrat.

“Bordi nuk ka qenë i njoftuar mbi çfarë baze janë përzgjedhur kandidatët, vetëm janë dorëzuar emrat për votim. Bordi edhe ka shprehur pakënaqësi duke thënë që nëse kërkohet vota e tyre të paktën të kenë informata se në çka të bazohen dhe jo të ofrohen vetëm emrat. Notimi me pikë të njëjta në listën definitive e vështirëson marrjen e vendimit duke diskriminuar personin tjetër i cili nuk përzgjedhet për pozitën e shpallur”, thotë raporti i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Festim Kabashi ishte zgjedhur në këtë pozitë më 3 nëntor të vitit 2020./Shqip.com