Lajme

Jep dorëheqje drejtori i arsimit në Fushë Kosovë

Samir Shahini ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit komunal për arsim në komunën e Fushë Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se arsyet e largimit janë kryesisht personale, dhe sigurisht pak edhe profesionale.

Shahini po ashtu ka thënë se për këtë është i informuar edhe kryetari i komunës.

“Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj nëse nuk mund të i përgjigjem secilit e secilës nga ju me sqarime në email, mesazhe, e telefonata.

Përgjatë përvojës sime thuajse 1 vjeçare në pozitën e drejtorit, unë kam punuar me përkushtim të palëkundur përkundër vështirësive e pengesave të qëllimta nga individë të caktuar brenda e jashtë komunës, kemi bërë punë të shumta e të mira, e një numër të madh ndryshimesh i kemi iniciuar bashkë me kryetarin, stafin e drejtorisë e të komunës, shkollave e partnerët e shumtë”.

Ai po ashtu ka listuar disa nga sukseset e arritura gjatë kohës si drejtor:

–  Kemi përfituar mbi 150 vende të reja të punës në arsim në kuadër të grantit specifik për arsim,

– Kemi rritur shumën si vlerë deri në 600 euro, dhe numrin e përfituesve të subvencioneve (bursave), duke e çuar në 626 sosh,

– Kemi bërë riorganizimin e normave dhe orëve mësimore për të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme,

– Bashkë me kryetarin, kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje mirëkuptimi, ose lëshuar pëlqime për partnerë nga OJQ, institute e kompani për të punuar në rritjen e cilësisë, dhe progresit të përgjithshëm në arsim,

– Kemi përfituar dhjetëra mijëra euro donacione në forma të ndryshme nga donatorë e biznese,

– Kemi zgjidhur probleme akute të sistemit të arsimit në komunën tonë, siç ka qenë mungesa e psikologëve, pedagogëve, sekretarëve në disa shkolla, e të ngjashme,

– Kemi rritur buxhetin për vitin 2023 në subvencione nga 200,000 euro, në 450,000 euro, si dhe kemi ndarë mjete për renovim e riparim të thuajse të gjitha shkollave në nevojë në komunën tonë,

– Fushë Kosova si komunë për herë të parë e me dinjitet të lartë, ka marrë udhëheqjen e një kolegjiumi në Asociacionin e Komunave të Kosovës (Kolegjiumin për Arsim) – ku unë jam zgjedhur kryesues.

Shumë të tjera kanë mbetur vetëm në plane, ose ide. Sigurisht koha që e kërkojnë secili nga ndryshimet që duam të sjellim, e ka bërë të pamundshme për të bërë të gjitha ato që kemi synuar brenda një viti.

Uroj që punët e mira të vazhdohen, e nuk kam dyshim që kryetari do të vazhdoj me reformën në komunë e sidomos në degë të LDK-së, se ndryshe nuk bënë!

Fushë Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, me një dinamikë të pakrahasueshme, njerëz të mirë e pasuri të shumëta. Duhet me e dashtë këtë vend, pavarësisht të gjithave e të gjithëve.

/Shqip.com