Lajme

Jep dorëheqje Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Social në Komunën e Prizrenit

Komuna e Prizrenit

Vjollca Kabashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtoreshës së Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Të nderuar qytetarë të Prizrenit. Që nga ky moment po deklaroj se jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Prizren (DPMS)”, ka shkruar Kabashi.

Sipas Kabashit arsye e dorëheqjes nga pozita e drejtoreshës është për shkak të nepotizmit dhe burokracisë së kryetarit Totaj.

Vjollca Kabashi

“Kam besuar dhe punuar për ndryshimin në Prizren dhe e kam pranuar detyrën e Drejtoreshës së Punës dhe Mirëqenies Sociale duke besuar në mirëqeverisje, dhe për ti shërbyer qytetarëve dhe familjeve që kanë nevoje pasi drejtoria që unë e kam udhëhequr është drejtoria më e ndjeshme sepse ka të bëjë me familjet nevojtare. Besova që kryetari Totaj pas emërimit do të jetë mbështetës dhe shtytës kryesor i mirëqeverisjes ndërsa ndodhi e kundërta si burokracia dhe nepotizmi” ka shkruar Kabashi.

Më tutje Kabashi ka thënë se për 10 muaj asnjëherë nuk është pritur nga Totaj përkundër shumë kërkesave për takim.

“Për 10 muaj asnjëherë nuk jam pritur nga kryetari për kërkesat që i kam bërë për takim. Duke u bazuar në ligjin e vetëqeverisjes lokale unë llogari për punën time është dashur ti jap vetëm Kryetarit të Komunës dhe qytetarëve.E në rastin konkret më shumë i kam dhënë llogari shefit të kabinetit sesa kryetarit të komunës” ka thënë Kabashi.

Në fund Kabashi, thotë se Totaj së bashku me shefin e kabinetit të tij dhe Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike nga dita e enjte deri të premten në ora 13:20 minuta e kanë shantazhuar dhe kërcënuar  lidhur me një pagesë.

/Shqip.com