Lajme Botë

Jep dorëheqjen kryeministrja e Zelandës së Re

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern

Jacinda Ardern ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministres së Zelandës së Re, duke thënë se nuk i ka mbetur shumë energji për të udhëhequr.

Deputetët e Partisë Laburiste do të votojnë të dielën për zëvendësimin e saj.

Njoftimi i Ardernit ka ardhur teksa sondazhet kanë treguar se partia e saj përballet me sfidë të vështirë në zgjedhjet e këtij viti, që mbahen më 14 tetor.

Arden, 42-vjeçare, ka thënë se gjatë pushimeve verore ka pasur kohë që të analizojë të ardhmen e saj, duke shpresuar se do të gjejë energji për të vazhduar.

“Fatkeqësisht nuk e kam gjetur, dhe unë do t’i bëja shërbim të keq Zelandës së Re nëse do të vazhdoja”, u ka thënë ajo gazetarëve. Ardern do të qëndrojë në pushtet deri më 7 shkurt.

Më 2017, kur është zgjedhur kryeministre, Ardern ka qenë gruaja më e re në botë në krye të një qeverie, vetëm 37-vjeçare.

Ajo e ka udhëhequr Zelandën e Re përgjatë pandemisë së COVID-19, të shtënave në xhamitë në Kristçërç, dhe në kohën e një shpërthimi vullkanik, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com