Lajme

Jashari: Vetëm Serbia dhe Rusia i kanë dyert e mbyllura në Skenderaj

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka deklaruar se dyert e kësaj komune janë të mbyllura vetëm për dy shtete Serbinë dhe Rusinë, shkruan SHQIP.

Jashari në një shkrim në Facebook deklaron se në Skenderaj janë të mirëpritur të gjithë ata që dëshirojnë ta ndihmojnë këtë komunë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe etike, përveç qytetarëve serbë dhe rusë.

“E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, janë vetëm dy shtete që i kanë dyert e mbyllura në komunën Skenderaj, ato janë Serbia dhe Rusia. Çdokush tjetër që ka vullnet dhe ndihmon komunën dhe qytetarët tonë pavarësisht përkatësisë fetare e etnike është i mirëseardhur në komunën që unë udhëheq”, ka shkruar ai.

Ai më tej tha, “për informimin e drejtë të opinionit publik, personi që ditën e enjte kam takuar, është një qytetar nga Kuvajti (shtet që ka njohur pavarësinë e Kosovës), një humanist që në disa komuna ka ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare dhe donacione tjera për qytetarët me kushte jo të mira ekonomike”.

“Në Skenderaj ka ardhur për të ndërtuar qendrën rehabilituese për personat me nevoja të veçanta, qendër kjo shumë e nevojshme për të cilën tash e 22 vite pas luftës askush nuk u interesua të ndërtoje”, ka theksuar ai./SHQIP.com