Lajme

Jashari: Thaçi dhe Veseli më kërkuan të jem kandidat i PDK-së për kryetar të Skënderajt

Bekim Jashari

Kryetari në largim i Skënderajt, Bekim Jashari, tha se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishin kërkuar që ai të jetë kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet lokale të vitit 2017, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, kjo kërkesë erdhi pasi që anëtari i PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku, nuk po pajtohej që kandidat të ishte Nuredin Lushtaku, por dikush tjetër.

“Në 2017-ën përveç kërkesave të qytetarëve, ishin edhe shqetësimet përbrenda PDK-së. Ata ishin shokë të paraluftës e luftës – Nuredini dhe Samiu. Nuk ka qenë direkte nga Samiu, në fillim, por më vonë, pasi ka qenë nga lideri Kadri Veseli, për të dalë nga ajo krizë. Kërkesat që me hy në PDK kanë qenë që nga paslufta edhe tek anëtarët e familjes tonë.

Në kohën kur është diskutu çështja e kandidatit, Sami Lushtaku ka qenë në burg. Pastaj doli nga burgu, ndryshuan rrethanat. Njëherë tha nuk kam ambicie, pastaj iu shtuan dhe erdhën deri te mosmarrëveshjet brenda për brenda që më involuan mua në mes. Si zgjidhje ka qenë kërkesë e Kadriut që “as ti, as ti” por Bekimi. E kanë ditë që Bekimi nuk hyn me parti, por si i pavarur”, tha Jashari në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje, Jashari shtoi se dy javë para se të udhëtonte për në Hagë, Veseli e kishte përsëritur qëndrimin e tij se Jashari nuk do të ketë kundërkandidat as për në zgjedhjet e këtij viti.

Ndryshe, më 17 tetor 2021 janë mbajtur zgjedhjet lokale, ku kandidati i PDK-së për kryetar të Skënderajt, Fadil Nura, është zgjedhur kryetar i ri me 57.99 për qind të votave, kurse Bekim Jashari mori 40.64 për qind./SHQIP.com