Lajme

Jasharaj: Nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat tona, në shtator do të ketë grevë të përgjithshme

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se qeveria nuk po i fton sindikatat për të diskutuar për Ligjin e pagave.

“Të gjithë këto angazhime jemi duke i bërë në kuadër të BSPK-së ku jemi pjesë bashkë me federata tjera. Më 14 kishim takimin e jashtëzakonshëm të BSPK dhe analizuam situatën dhe fatkeqësisht erdhëm në përfundim se as angazhimi ynë i fundit dhe i vetmi që na kishte mbetur pas protestave dhe grevave nuk ka dhënë rezultat ngase qeveria nuk i është përgjigjur as ndërmjetësuesit me çka ka treguar se është kundër dialogut. Edhe në kuadër të BSPK në takimin e këshillit drejtues është marrë vendimi që me 10 gusht të mbahet edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së dhe ky rrugëtimi ynë fatkeqësisht në mungesë të dialogut po na tregon drejt grevave”, tha ai.

Tutje, ai tha se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga, duke shtuar se me 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje të jashtëzakonshme me kryesinë e BSPK-së.

Grevë

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor pra me 24 kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do të kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, shtoi Jasharaj.

Ai tha se nëse nuk reflekton Qeveria edhe më 1 shtator, atëherë do të ketë grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

“Në qoftëse me 24 dhe me 1 shtator qeveria nuk reflekton atëherë opinioni le ta dijë me 1 shtator startojmë me grevë ku në vend të nxënësve dhe ziles do të kemi mësimdhënës po jo në punë por në grevë dhe do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat tona.Sa i takon SBASHK-ut me 1 shtator do të kemi grevë në qerdhet e Kosovës në arsimin para universitar, në fillore e të mesme. Nëse zgjat greva deri me 1 tetor do t’i kemi edhe Universitet në grevë”, tha Jasharaj.

Theksojmë se SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe./Shqip.com