Jasharaj: Me të gjitha metodat do ta kundërshtojmë testimin e mësimdhënësve
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), do ta kundërshtojnë me të gjitha metodat testimin e mundshëm me shkrim për mësimdhënësit në vend, ka njoftuar për Ekonomia Online, kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj.
Në një intervistë, kreu i SBAShK-ut, thotë se nga MAShT-i presin që të mundësohet avancimi nga licenca e punës në licencë tjetër dhe të marrin grada të tjera dhe kjo lëvizja në gradë të jetë në mënyrë vullnetare.
“Ajo që është dhe e them me përgjegjësi pasi jam përfaqësues i SBAShK-ut, janë duke u punuar në disa udhëzime që kanë të bëjnë me licenca dhe licencime. Një prej këtyre udhëzimeve parasheh një ngritje në pagë siç është në Ligjin e Pagave për punëtorët e arsimit që do të lëvizin në grada. Çdo herë kur përmendet ndonjë herë fjala test me shkrim, ne reagojmë dhe jemi kundër dhe mësimdhënësit që duhet të qetësohen dhe të rrinë të mos stresohen është se të punësuarit në sektorin e arsimit, nuk do t’i nënshtrohen asnjë testi me shkrim për njohuritë e tyre, ngase këto njohuri i kanë dëshmuar në Universitet dhe kanë diploma dhe licencat e punës do t’u përtërihen”, thotë Jasharaj.
“Pra test me shkrim për mësimdhënësit e Kosovës për situatën aktuale nuk do të ketë, por çka mund të pritet të . Udhëzimi parasheh se do të ketë gradime, pra përmendet licenca e mësimdhënësit të avancuar dhe licenca e përhershme e punës, dhe tash udhëzimi parasheh se mësimdhënësit në mënyrë vullnetare nëse e shohin vetën e ndjenë vetën se janë të përgatitur me kriteret që i cakton MAShTI për të hyrë në procesin për gradim, mbetet më vonë që të saktësohet se cilat kritere do t’i nënshtrohen këta mësimdhënës”, thotë ndër të tjerash ai.
Jasharaj gjithashtu thotë se një vlerësim i tillë është degradues dhe nënçmues jo vetëm për arritjet e tyre profesionale por do të jetë nënçmim edhe për Fakultetin e Edukimit.
“Ne e kundërshtojmë nëse ka ide në MAShT që të gjithë mësimdhënësit e Kosovës në mënyrë obligative t’i dërgojnë në test me shkrim të njohurive, do ta kundërshtojmë dhe do të bëjmë apel që mësimdhënësit të mos i nënshtrohen këtij testi, ngase është degradues edhe ndaj diplomave të tyre por edhe ndaj Fakultetit të Edukimit, i cili këta njerëz i ka përgatitur për sektorin e arsimit”, thotë Jasharaj për EO.
Ai ka dhënë edhe arsyetimet e tij se përse Ministria e Arsimit këmbëngul në testimin e mësimdhënësve.
“Ne ngase reagojmë çdo herë dhe përpiqemi me aq sa dimë dhe mundemi që t’i mbrojmë mësimdhënësit nga cilado padrejtësi që mund t’u bëhet. Situata momentale, dua ta pranojë që janë tepër të ftohta ngase ne kemi bërë dy kërkesa zyrtare drejtuar ministres Nagavci që të takohemi dhe të bisedojmë për të gjitha çështjet në arsim. Kabineti i saj është arsyetuar se ajo nuk paska kohë dhe unë çuditëm se nga shtatori i këndej u bënë disa muaj që ajo nuk po gjen kohë së paku një orë dhe të takohet me përfaqësuesit e sistemit arsimor”, u shpreh ai.
/Shqip.com