Lajme

Japin dorëheqje doganierët serbë në Jarinje e Bërnjak

Në vendkalimin administrativ në Jarinje dhe Bërnjak sot kanë dhënë dorëheqje doganierët serbë të Doganës së Kosovës.

Ata për mediumin Kosova Online deklaruan se ky është një akt moral dhe shenjë solidariteti me popullin e tyre dhe dëshmi e mospajtimit me politikën e Albin Kurtit.

“Në këtë moment unë dhe kolegët e mi që punuam në vendkalimin Jarinje dhe Bërnjak dhamë dorëheqjen për arsye morale. Ne u solidarizuam me njerëzit tanë. Ajo që dua të them është se kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kolegët tanë shqiptarë, si nga dogana, ashtu edhe nga policia. Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje”, na tha një nga ish-punëtorët në vendkalimin Jarinje.

Ata dorëheqjen ia dorëzuan shefit të ndërrimit në Jarinje dhe siç thanë, do t’ia përcjellin vendimin Prishtinës.

Pas krizës së shkaktuar nga vendosja e masave prej Qeverisë së Kosovës, të cilat ndalojnë përdorimin e targave serbe, përfaqësuesit politik dhe institucional të serbëve janë larguar nga pozitat e tyre.

Fjala është për deputetët e Listes Serbe, ministri Goran Rakiq, policët në veri të Kosovës, kuvendet lokale si dhe serbët që kanë punuar në ministritë e Kosovës.

/Shqip.com