Lajme

James Rubin flet për UÇK-në: Nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë

James Rubin
James Rubin

James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit, ka folur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, themeluesit e së cilës po përballen aktualisht me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rubin gjatë një interviste për REL-in, thotë se qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar ndër vite.

Në ditët e para, kujton ai, SHBA-ja i ka dënuar “aktivitetet terroriste të kryera nga grupet shqiptare”, por me evoluimin e procesit të paqes, thotë se UÇK-ja është bërë qendër e atij procesi.

“UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar”, thotë Rubin.

“Unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, shtoi ai.

Gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990, Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit amerikan.

Kosova i ka ndarë në vitin 2013 Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës./REL

/Shqip.com