Lajme

“Jam me kombësi shqiptare dhe greke. Kam qenë i dënuar”/ Çfarë tha Fredi Beleri përpara gjyqtarëve dhe vendimi që mori GJKKO

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, po gjykohet nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar për blerje votash. Sot nisi gjyqi në themel ndaj tij.

Në nisje të seancës, Beleri ka deklaruar para trupës gjykuese se është me kombësi shqiptare dhe greke. Po ashtu ai ka pranuar se në të kaluarën ka qenë i dënuar, por është rehabilituar. “Jam me kombësi shqiptare dhe greke. Kam qenë i dënuar dhe jam rehabilituar”, ka thënë Beleri.

Gjyqi ndaj Fredi Belerit u shty për në 17 tetor. GKKO kërkoi kohë të shprehet mbi kërkesën e avokatëve të Belerit për shpalljen e pavlefshme të akteve të Prokurorisë Vlorë.

Prokurorët e SPAK, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko ishin kundër kësaj kërkese. Gjithashtu avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtares Etleva Deda.

E pranishme, ashtu si edhe në çdo seancë tjetër ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës ishte edhe ambasadorja greke.

Beleri mbahet në burg që prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Prokuroria e akuzon fituesin e zgjedhjeve në Himarë se u ka dhënë 40 mijë lekë të reja 8 qytetarëve për të votuar në favor të tij gjatë zgjedhjeve lokale.

Mbajtja e tij në burg ka sjellë një përplasje me Athinën zyrtare e cila e akuzon qeverinë shqiptare se po e mban në qeli politikisht Fredi Belerin për të mos i lejuar betimin si kryebashkiak.

/Shqip.com