Lajme

Jahjaga takon gratë afgane në Shqipëri, diskutojnë për të kaluarën e Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takim me gratë afgane që vitin e kaluar kanë ardhur në Shqipëri.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Jahjaga përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Sot në Shëngjin takova gratë afgane të ardhura në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Edhe pse do të doja që ky takim të ishte në rrethana tjera, ishte kënaqësi të takoj dhe të bisedoj me gra të cilat deri në marrjen e pushtetit nga talebanët ushtronin funksione të rëndësishme shtetërore në Afganistan si deputete, prokurore e gjenerale”, ka bërë të ditur Jahjaga.

Temë e diskutimit në këtë takim ka qenë e kaluara e Kosovës dhe popullit të saj.

Foto nga takimi

“Gjatë bashkëbisedimit, ndava të kaluarën e hidhur të Kosovës si dhe shpalosa rrugën që populli ka ndjekur deri në liri dhe pavarësi. Fatkeqësisht, gratë vazhdojnë të jenë më të atakuarat në rrethana konflikti dhe dhune. Por, nuk duhet nënvlerësuar roli kritik që gratë kanë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimin demokratik të çdo shoqërie”, ka shtuar më tutje Jahjaga.

Jahjaga ka falënderuar Vital Voices që ka  mundësuar realizimin e këtij takimi si dhe ka shprehur vlerësimin më të lartë për shtetin amerikan dhe shtetin shqiptar në strehimin dhe daljen në ndihmë këtyre grave, familjeve të tyre dhe të gjithë emigrantëve të tjerë./Shqip.com