Lajme

Jahjaga gjatë takimit me David Miliband: Ka dhënë kontribut të madh në finalizimin e Kosovës si shtet

Atifete Jahjaga dhe David Miliband

Ish-presidentja e  Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit David Miliband për të cilin thotë se ka dhënë një kontribut të madh në finalizimin e Kosovës si shtet të pavarur.

Jahjaga thotë se Miliband ka shërbyer si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar në kohën kur Kosova ka shpallur pavarësinë.

“Z. Miliband, i cili ka shërbyer si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka dhënë një kontribut të madh në arritjen e statusit final të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, shkroi Jahjaga në një status në Facebook.

Ish-presidentja ka njoftuar se me Miliband ka biseduar për shumë tema duke përfshirë dhe punën në Kosovë të organizatës të cilën ky i fundit drejton.

“Pata kënaqësinë e veçantë të takohem me z. David Miliband, President i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC), me të cilin biseduam për një sërë temash përfshirë punën në Kosovë të organizatës të cilën z. Miliband e drejton, si dhe për të arriturat dhe sfidat e Kosovës dhe Ballkanit”, shkroi Jahjaga.

Atifete Jahjaga, ka falënderuar David Milibandin për kontributin e tij ndër vite si dhe duke i thënë që ai ka një vend të veçantë në historinë moderne të Kosovës./Shqip.com