Lajme

Iu vodhën 50 mijë euro, reagon Shkreta: Tendenca që ky rast të lidhet me postin tim është e padrejtë

Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka njoftuar se me datën 23 qershor 2022 disa hajna kanë plaçkitur banesën e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Shkreta ka shkruar se në këtë rast ka njoftuar organet e policisë dhe të drejtësisë rreth këtij rasti.

“Ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, ka shkruar ai.

Pas kësaj, Shkreta ka shkruar se rrugëtimi i tij profesional nuk është vetëm në fushën e politikës, dhe sipas tij, ai dhe gruja e tij janë mjekë.

“Vetëm që 1 vit e gjysme kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”, ka shkruar si ndër të tjera.

Deputeti i LVV-së i ka vërë thirrje të gjithë miqve e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunues me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur iniciuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur./Shqip.com