Rozë

Iu përmend emri në përgjimet e SPAK-ut, reagon Zaimina Vasjari

Dje në mediat shqiptare u publikuan detaje të reja në lidhje me përgjimet e SPAK-ut.

Në detajet e reja që dolën nga dosja hetimore e aksionit të SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) në doganën e Morinës u përmend si protagoniste e përgjimeve edhe Zaimina Vasjari.

Sipas këtyre përgjimeve u tha se këngëtarja kishte kërkuar ndihmën e policëve të korruptuar që të kalonte kufirin Shqipëri-Kosovë, pa pasur prokurë nga prindi tjetër për fëmijët e saj të mitur.

“Në dosjen e Prokurorisë theksohet se në datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “WhatsApp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laert Sulos me mesazh: “Është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zaimina Vasjari. Laert Sulo – polic: Kur do kthehet? Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim. Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi numrin tim të flas me të. Tani: ‘Range Rover’. Laerti: Ok” – thuhet në një nga 312 përgjimet e kalimit të kufirit të personave që ishin në shkelje.

Zaimina Vasjari

Ndaj këtyre lajmeve ka reaguar edhe vet këngëtarja, Zaimina Vasjari, përmes një imazhi të publikuar në Instastory.

Zaimina ka publikuar fotografi të pasaportës së saj me vulat që ka marrë në datën e lartpërmendur (02.01.2022), gjatë kalimit të kufijve në Mal të Zi dhe në Kroaci.

“Një pyetje kam unë, a punon sistemi TIMS në Morinë”, ka shkruar Vasjari në mbishkrimin e fotografisë.

Pëndryshe, sistemi TIMS ndihmon që asnjë person me precedent penal, apo i dënuar në autoritete shqiptare dhe të huaja, nuk mund të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj, pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit./Shqip.com