Lajme Botë

Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme thatësie në pesë rajone

Thatësira në lumin Po, Itali

Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të një thatësire të përkeqësuar që ka pllakosur pesë rajone veriore në javët e fundit.

Kështu ka bërë të ditur zyra e kryeministrit italian, Mario Draghi, raporton Bloomberg.

Kabineti i zyrës së kryeministrit, Mario Draghi, ka miratuar një gjendje të jashtëzakonshme në Emilia-Romagna, Friuli-Venezia Giulia, Lombardi, Piemonte dhe Veneto deri më 31 dhjetor.

Madje, u nda një fond prej 36.5 milionë eurove për të ndihmuar të prekurit.

Varkat në shtratin e ekspozuar të lumit Po në Calto, Itali. (Foto: Francesca Volpi/Bloomberg)

Vala e madhe e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve ka kapluar veçanërisht në luginën bujqësore veriore të Po-së, e cila është goditur nga thatësira e saj më e keqe në dekada.

Po është rezervuari më i madh i ujit të gadishullit, i cili përdoret gjerësisht nga fermerët për të ujitur fushat dhe tokat e kullotave për lopët.

Sipas sindikatës më të madhe bujqësore të vendit, Coldiretti, thatësira kërcënon më shumë se 30 për qind të prodhimit bujqësor kombëtar dhe gjysmën e fermave në Luginën e Po, ku prodhohet proshuta e Parmës.

Liqenet Maggiore dhe Garda – të vendosura afër Milanos midis rajoneve të Piemonte dhe Lombardisë – u goditën gjithashtu nga nivele më të ulëta se të ujit për këtë periudhë të vitit, ndërsa më në jug lumi Tiber, i cili përshkon Romën, ka rënë gjithashtu.

Thatësira në lumin Po, Itali

Ditët e fundit disa bashki kanë paralajmëruar kufizime. Verona, një qytet me një çerek milion banorë, ka racionalizuar përdorimin e ujit të pijshëm, ndërsa Milano ka shpallur mbylljen e shatërvanëve të tij dekorativë.

Si rezultat i thatësirës, ​​prodhimi i energjisë hidroelektrike ka rënë ndjeshëm pasi që hidrocentralet, kryesisht në veriun malor të vendit, përbëjnë gati 20 për qind të prodhimit kombëtar të energjisë.

Njoftimi i emergjencës erdhi një ditë pasi të paktën shtatë persona vdiqën pasi një akullnajë u shemb në Alpet italiane, për të cilën Draghi tha se ishte “pa dyshim” e lidhur me ngrohjen globale. /Shqip.com