Isufaj nuk u dekretua për Kryeprokuror nga Osmani, cilat janë veprimet e ardhshme?
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, pothuajse ishin zotuar se Blerim Isufaj s’do të bëhej Kryeprokuror. Presidentja pas një viti e gjysmë e kumtoi dje vendimin për të mos e dekretuar atë, ashtu siç kishte paralajmëruar Kryeministri përgjatë kësaj periudhe.
Këshilli Prokurorial tha se kjo u bë “në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, por shefja e shtetit tha se s’mund të ketë më betejë ligjore, por vetëm betejë politike për këtë çështje. Ky vendim pritet që ta nisë edhe njëherë nga fillimi procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
Presidentja Vjosa Osmani vendosi: Blerim Isufaj s’mund të bëhet Kryeprokuror. Shefja e shtetit njoftoi të martën se e kishte marrë vendimin për mosdekretim. Erdhi një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e kishte çuar në Presidencë emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, si të përzgjedhurin për ta udhëhequr organin më të lartë të ndjekjes në vend.
Osmani tha se kishte “shkelje masive” në procesin e përzgjedhjes së Isufajt. “Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, tha ajo. Procesi, sipas presidentes, nuk u zhvillua mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dje mbajti një takim të mbyllur për të diskutuar për situatën. KPK i quajti “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt. Presidentja u akuzua për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.
“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e KPK-së.
Osmani tha më herët se KPK kishte bërë asaj “presion të paligjshëm dhe jokushtetues” e se kishte vepruar “në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimin ndërinstitucional”. Përmendi edhe mesazhe kërcënuese, të cilat tha se i ka marrë.
“Në anën tjetër, unë mund t’ju them se ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme. Ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do të t’i lidhim duart, etj, etj. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë, e nuk do të bëjnë as tani”, tha Osmani.
KPK i tha Osmanit “t’i dërgojë tek organet kompetente” nëse ka prova dhe dëshmi për këto pretendime.
Tashmë, Osmani tha se sipas ligjit dhe Kushtetutës, KPK s’ka më të drejtë të bëjë propozim për Kryeprokuror.
“Sa i përket çështjes së dytë që ka të bëjë me Këshillin Prokurorial, ju e dini që sipas ligjit dhe Kushtetutës, Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për Kryeprokuror një herë. Për dallim prej çështjes së prokurorëve, për kryeprokuror ka të drejtë ta bëjë një herë propozimin dhe pastaj që ky propozim të vlerësohet nga ana e Presidencës”, tha ajo.
Ndërkaq, KPK vendosi të martën që së shpejti ta mbajë një tjetër takim ku do të diskutohet për hapat që duhet të ndiqen pas mosdekretimit të Isufajt.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është i drejtë, pasi që “Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet”.
Kjo organizatë dhe dy të tjera (Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL), i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill 2022.
Procesi u stërzgjat pasi Osmani do t’i priste të përfundonin kontestet gjyqësore për të marrë vendim. Kur në Presidencë thanë se po e prisnin fundin e prillit të këtij viti që presidentja të merrte vendim, ankesa e një prej kandidatëve për Kryeprokuror e zgjati edhe më shumë këtë proces.
Presidenca tha se ishte njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se një kundërkandidat i Isufajt kishte parashtruar kërkesë në gjykatën më të lartë të vendit, me të cilën e kontestonte një aktgjykim të Supremes.
Gjykata Kushtetuese më 4 korrik i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Nga Presidenca kishin thënë se ishin duke e pritur Gjykatën Kushtetuese, para se kjo gjykatë, si kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, ta shpallte vendimin për ankesat e dy kandidatëve që ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garë.
Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kurti dhe Osmani kishin ‘garantuar’ se Isufaj s’do të mund të bëhej Kryeprokuror
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj u vu qenë në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi në prill, me urdhër të kësaj prokurorie.
Kurti në një seancë të Kuvendit i pati etiketuar prokurorët si kundërshtarë, duke shprehur indinjatën e tij me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut. Pati thënë se Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.
“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, shprehej Kurti. Ai i quante prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.
Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani që në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.
Osmani e akuzonte KPK-në për presion kur ky organ më 5 prill i kishte kërkuar asaj që ta dekretojë me urgjencë Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit, pasi ishin bërë mbi një vit që kur propozimi i tyre po qëndronte pa epilog në Presidencë.
Osmani ishte përgjigjur me një letër dërguar kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku.
“Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, thuhet në letrën e Osmanit.
Aty Osmani shkruante se e kishte informuar KPK-në se do ta priste “shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” që kandidatët që janë ankuar të marrin përgjigje.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Çka tash?
Osmani, duke folur për mundësinë e dërgimit të vendimit për mosdekretimin e Isufajt në Gjykatën Kushtetuese, tha se i inkurajon deputetët që “ta lexojnë këtë dokument ku janë të evidentuara të gjitha shkeljet në këtë procedurë”. Dokumentin ua ofroi edhe mediave.
“Në qoftë se për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë, atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike, nuk është më betejë ligjore. Dhe kush do betejë politikë, me mua betejë politike do të ketë”, tha presidentja.
Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani i tha Gazetës Express të martën se kjo gjykatë nuk mund ta rrëzojë mosdekretimin e Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit. Por tha se “mund të ketë pasoja serioze” për shefen e shtetit pasi sipas tij, ajo “me mosveprim e ka shkelur Kushtetutën” duke e mbajtur “në sirtar” dosjen e Këshillit Prokurorial me propozimin e kandidatit për Kryeprokuror për një vit e gjysmë.
Hasani po ashtu pohoi se KPK s’mund t’i dërgojë propozim tjetër për Kryeprokuror, ndërsa tha se procedura e përzgjedhjes së Isufajt ka qenë “pa integritet dhe krejtësisht e manipuluar”. Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale e konsideroi “të padenjë për pozitën e Kryprokurorit të Shtetit”.
Tash, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, duhet të rihapet konkursi.
“Duhet të rihapet konkursi, kurse përcaktimi i përgjegjësisë eventuale kushtetuese të Presidentes varet nëse rasti dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Sigurisht që ky rast hyn në listën e gabimeve serioze kushtetuese, do të thoja ndër më seriozet deri sot”, tha Hasani.
/Shqip.com