Sport Shqiptar

Istogu kërkon ta fillojë me fitore aventurën evropiane

Rrugëtimin evropian skuadra e hendbollit, Istogu në kategorinë e femrave e fillon këtë fundjavë.

KHF Istogu do të përballet me skuadrën nga Maqedonia e Veriut, WHC Cair Skopje.

Dy skuadrat do të zhvillojnë dy “beteja” për të vendosur kush do të vazhdojë tutje, për ta kaluar raundin e dytë.

Trajneri i klubit, Faruk Shala për Shqip.com ka thënë se synon fitore në përballjet me skuadrën maqedonase.

“Pritshmeritë janë të zhvillojmë ndeshje të mira, të kemi fat, dhe të shënojmë fitore. Atmosfera është shumë e mirë, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë”, tha ai.

Faruk Shala

Shala tutje shtoi se skuadra e tij është e kompletuar, por pret edhe përkrahjen e tifozëve.

“Jo nuk ka mungesa, ekipi është i kompletuar, dhe presim përkrahje masive nga shikuesit tonë, që janë lojtari jonë i 8 në fushë. Shpresojmë të kalojmë këtë raund, dhe të kemi një fat të mirë për xhiron e radhës”.

Istogu në garat ndërkombëtare po merr pjesë për të gjashtën herë radhazi.

Portierja e skuadrës, Blerta Ahmetxhekaj beson se përvoja do t’i ndihmojë ekipit.  

“Ndeshjet ndërkombëtare gjithmonë janë sfida të reja për ekipin tonë, por gjithmonë jemi optimiste dhe kemi pritshmëri të mëdha. Këtë herë fati deshi të takohemi dy ekipe shqiptare dhe mendoj që cilësia është shumë e barabartë. Personalisht besoj që kemi arritur të konsolidohemi dhe presim ndeshje të fortë, shpresojmë në fitore”, tha ajo për Shqip.com.

Blerta Ahmetxhekaj

Sipas Ahmetxhekajt, tashmë Istogu është në një nivel ku mund të garojë me skuadrat evropiane.

“Istogu do ta ketë përqendrimin maksimal në këto dy ndeshje, momentalisht fokusi është që ta kalojmë këtë raund. Ne kemi treguar edhe në garat e kaluara ndërkombëtare qe jemi nivel evropian, kështu që me pak fat mund te arrijmë larg”.

Të dy takimet zhvillohen në fundjavë, të shtunën dhe të dielën në Istog me fillim nga ora 17:00.

/Shqip.com