Lajme

Ismaili: Memli Krasniqi s’mund të ketë kundërkandidat në garën për Kryetar të PDK-së

Uran Ismaili flet për zgjedhjet e brendshme të PDK-së

Memli Krasniqi është kandidati i vetëm i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të këtij subjekti politik, njofton Shqip.com.

Kështu thotë bashkëpartiaku i tij, Uran Ismaili, pasi ka përfunduar afati për paraqitjen e kandidaturave.

Ismaili thotë se Krasniqi pritet t’i japë një energji të re PDK-së dhe sipas tij, është kandidati më i denjë në kuptim partiak.

“Memli ka pasion të madh për politikë, për PDK-në, por edhe kontribut në shoqëri. E shoh si kandidat jo veç të denjë në kuptim partiak, por si intelektual që do të sjellë impuls të ri në PDK”, ka thënë ai.

“Në aspekt politik Memli është kandidati i vetëm. Ai do ta prezantojë një platformë. Çështja e kryetarit formalisht mbyllet të dielën dhe kështu le të mbetet. Nuk ka gjasa për kandidaturë tjetër nëse shtyhet afati. Të gjithë ajo që po shohim sot është se kandidati i vetëm për kryetar është Memli Krasniqi”, ka thënë Ismaili në “Rubikon” të Klan Kosovës.

“Konventa vlerëson platformën e tij. Mund të ketë votë kundër, por me rëndësi është të ketë 50 plus 1 votë nga të pranishmit. Deri më sot ka mundur të ketë konkurrencë, sot nuk ka. Kandidati i vetëm është Krasniqi dhe një konventë që duhet dhënë besimin. Nuk mund të ketë kandidat të dytë dhe unë shoh që konventa me një masë të madhe ta mbështesë kandidaturën e tij”, shtoi ai. /Shqip.com