Lajme

Ismaili: Martin Berishaj vazhdon të privilegjohet në pushtet

Qeveria e Kosovës edhe të mërkurën ka vazhduar mbrojtjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet si i përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka mbrojtur dhe quajtur Berishajn një “intelektual të shquar”.

Ismaili ka thënë se Berishaj ka gënjyer nën betim para komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës dhe ka mbajtur fshehtë transaksionet e dyshimta bankare.

Sipas tij, Berishaj është paguar 4 milionë euro nga GEN-i i Serbisë, edhe pse kompania e tij e kishte të regjistruar vetëm atë si punëtor.

Tutje, Ismaili ka shkruar se asnjë qeveritar e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e ka guximin të shtrojë pyetjen se pse një njeri i korruptuar nga Serbia lartësohet vazhdimisht nga kryeministri Kurti.

“Pse ky ofendim ndaj flamurit e shtetit? Pse ky moszbatim i ligjit? Kryeministri Kurti duke mbrojtur dhe arsyetuar Martinin e Nagipin nuk është duke i pastruar ata, por po na tregon haptas që ai nuk mundet t’i largojë. E kjo është tregues i rëndësishëm për këtë qeveri”, ka përfunduar shkrimin e tij, Uran Ismaili.

/Shqip.com