Islandë – Shqipëri: Formacionet zyrtare

Shqipëria nis edicionin e tretë të Ligës së Kombeve në udhëtim te Islanda.
Takimi do të luhet në “Laugardalsvollur” të Rejkavikut fillon në ora 20:45.
Trajneri i kuqezinjve, Edi Reja ka vendosur për formacionin 3 – 5 – 2.

Etrit Berisha do të jetë mes shtyllave, teksa përballë do ta ketë treshen e qendërmbrojtësve si Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismaili.
Krahët u janë besuar Balliut të Vallecanos dhe Hysajt të Lazios.
Mesfusha përbëhet nga Gjasula, Abrashi dhe Endri Çekiçi, përderisa para portës së ishullorve veriorë do të rrezikojnë dyshja e sulmit Seferi dhe Cikalleshi.
Ndërkohë, kombëtarja e Islandës do të zbresë në fushë me skemën 4-3-3.
Trajneri Arnar Vidarsson ka bërë tre ndryshime krahasuar me barazimin 2-2 ndaj Izraelit në Haifa.

Kjo është ndeshja e parë e Shqipërisë në këtë edicion të këtij kompeticioni, pasi dueli i paraparë kundër Rusisë nuk u mbajt për shkak të përjashtimit të tyre nga garat e UEFA-s dhe FIFA-s. /Shqip.com