Lajme

Ishte kapur duke marrë ryshfet, dënohet gjykatësi Sali Berisha

Sali Berisha në seancën gjyqësore / Foto: Kallxo

Është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vite e gjysmë burgim ish-gjyqtari Sali Berisha i cili akuzohet për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje.

Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari.

Berisha është dënuar edhe me gjobë prej 4 mijë eurosh për “marrje ryshfeti” dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Dënimin unik  me gjobë prej 5 mije eurove duhet ta paguajë në afat prej 1 muaji pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktgjykimi të njëjtit do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe se në rast se Berisha nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë i njëjti mund të zëvendësohet unik me gjobë në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 250 ditëve duke ia llogaritur çdo ditë të kaluar në paraburgim në shumë prej 20 euro.

Po ashtu gjykatësi Bajraktari tha se sipas aktgjykimit ndalimi i funksionit në administratë publike do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar në këtë aktgjykim dhe se të njëjti i konfiskohet edhe arma e tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm së bashku me 10 fishekë.

Gjykatësi Bajraktari po ashtu tha se të dënuarit Berisha i kthehet shuma prej 10 mijë euro pasi që nuk kishte bazë ligjore për konfiskimin e tyre për shkak se nuk ishte vërtetuar se të njëjta  janë fituar me kryerjen e veprës penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bajraktari i dënuari Berisha u detyrua që të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 300 euro si dhe 100 euro për kompensimin e viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu në fund gjykatësi Bajraktari tha se për veprën penale “Marrje ryshfeti ishte bërë rikualifikimi i të njëjtës nga paragrafi i dytë në paragrafin e parë.

/Shqip.com