Lajme

Ish-zyrtari i MPB-së dyshohet se është arrestuar në Serbi me rreth 18 kg marihuanë në veturë

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur arrestimin e një personi me inicialet D.B i moshës 34 vjeçare. Sipas këtij institucioni të Serbisë, dyshohet se në makinën e D.B janë gjetur rreth 18 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Sipas raportimit të mediave, bëhet fjalë për shtetasin kosovar, Drilon Berbati, ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës që ka punuar në agjencinë e Regjistrimit Civil.

Ai dyshohet se është kapur në “Batrovci”, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Gjatë kontrollit të një veture të tipit “Fiat” me tabela austriake, në dalje nga Serbia, Policia ka gjetur 32 pako me lëndë bimore që dyshohet se janë marihuanë, e të cilat kanë qenë të fshehura në disa vende brenda makinës

“Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në “Sremska Mitrovica” D. B. i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, kohë gjatë së cilës do të paraqitet në prokurori me kallëzim penal”, thuhet në njoftimin e policisë serbe.

Drilon Berbati gjatë vitit të kaluar ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pasi në cilësinë e zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil në MPB dyshohej se kishte keqpërdorur detyrën apo pozitën e tij për falsifikim të dokumenti zyrtar.

Ai dyshohej se kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.

/Shqip.com