Lajme

Ish-zëdhënësi i NATO-s pas takimit Kurti – Vuçiq: BE-ja duhej të ndihmonte më shumë

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea

Jamie Shea, ish-zëdhënësi i NATO-s, i cili ishte ithtar i Aleancës gjatë luftërave në Bosnje dhe Kosovë ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin.

Shea ka thënë se ndikimi i mundshëm rus në Ballkan e ka bërë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Szholz që t’i ulë në takim Kurtin e Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

“BE-ja më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësim në kurrizin e vendeve të rajonit. BE-ja duhej të ndihmonte më shumë dhe të ishte më aktive në ndihmën e transformimit. Tani kemi sërish shumë aktivitete, shohim se kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm për të”, tha ai në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Index.

Ai gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një qasje më fleksibël dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik. 

“Pra, procesi i anëtarësimit do të ishte gradual, për të shkuar në atë rrugë drejt integrimit. Disa në Bruksel mendojnë se është e nevojshme të ndryshohen traktatet bazë të BE-së, gjë që nuk është asnjëherë e lehtë, por çështja është se po kërkohet një zgjidhje novatore”, ka thënë ndër të tjera Shea.

Shea, i cili ishte anëtar i Stafit Ndërkombëtar të NATO-s për 38 vjet, ka folur edhe për ndikimin e Rusisë në rajon përmes Serbisë, ndërsa theksoi se Vuçiq “duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë” dhe se “nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige”.

“Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiq thuhet se tha se do ta bënte këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë”, thotë Shea.