Sport Ndërkombëtar

Ish-trajneri i Liverpool për Nunez: Ngjason me Torresin

FOTO: football365
FOTO: football365

Sulmuesi Darwin Nunez ishte protagonist në triumfin e fundit të Liverpool përballë Newcastle në Premier League teksa uruguajani shënoi një prej golave në suksesin 0-2 të “The Reds”.

Megjithatë, kritikat për 23-vjeçarin vijojnë të mbeten prezente me sulmuesin që këtë sezon ka shënuar 11 gola në 28 paraqitje në të gjitha kompeticionet për Liverpool.

Gjithsesi, në krah të Nunez del një figurë që tek klubi anglez respektohet shumë.

Fjala është për Rafa Benitez, ish-trajnerin e “The Reds”. Spanjolli thekson se Nunez është nga ata sulmues që frikëson trajnerët kundërshtarë ndërsa shtoi se 23-vjeçari ngjason me ish-futbollistin, Fernando Torres.

“Nunez është nga ata lojtarë që punon shumë, vrapon shumë në fushë dhe bën gjërat e duhura. Në ndeshjen me Newcastle bëri një lëvizje të bukur në momentin e golit, trajneri Klopp duhet të jetë i kënaqur. Por, ndjesitë e mia duke parë janë që trajnerët kundërshtarë kanë frikë nga ai. Ai ka një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe mund të gjejë hapësirat. Më ngjason paksa më Torres”, u shpreh Benitez.

/Shqip.com