Lajme

Ish-prokurori Blakaj: Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i individëve që janë në sistemin prokurorial e gjyqësor

Ish-prokurori special, Elez Blakaj

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i disa individëve që janë pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, “faturën e të cilëve po e paguan Kosova padrejtësisht”.

Këtë e ka thënë derisa ka reaguar lidhur me kundërshtimet që po i bëhen procesit të reformave në drejtësi, konkretisht Vettingut.

Derisa ka shprehur respekt për shumë ish-kolegë prokurorë dhe gjyqtarë, ka thënë se të njëjtëve nuk mund t’u lejohet ta keqpërdorin punën.

“Sot, Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i disa individëve të cilët janë pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, faturën e të cilëve po e paguan Kosova padrejtësisht, e më këtë qasje, përkrahja dhe ndihma e miqve e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të vazhdojë përgjithmonë, nëse ne nuk e ndihmojmë vetën”, ka shkruar Blakaj në profilin e tij në Facebook.

Siç ka thënë ai, rregullat kanë kuptim vetëm atëherë kur zbatohen.

“Si ata të cilët janë PËR apo KUNDËR këtyre reformave, e dinë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmban çdo normë dhe standard ndërkombëtar i cili garanton plotësisht pavarësinë dhe funksionimin e plotë të sistemit gjyqësor”.

Më tej, Blakaj është shprehur se pavarësia nuk do të arrihet në asnjë rrethanë “nëse ne nuk sillemi si të tillë”.

“Pavarësisht se Kushtetuta e vendit e thotë dhe e konfirmon,… e kotë është!  Pra, në esencë këtu problemi është se nuk po zbatohet rregulla dhe parimi, andaj është gjithë ky reagim dhe mospajtim”.

Ish-prokurori, që ishte dorëhequr pasi kishte dorëzuar një draft-aktakuzë për rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”, ka thënë se duhet përshëndetur personat e pavarur që edhe përkundër vështirësive “e kanë dëshmuar me sjelljet, veprimet dhe vendimet e tyre se përfaqësojnë të ardhmen e sistemit prokurorial dhe gjyqësor”./SHQIP.com