Lajme

Ish-policit Haris Kelmendit i ngritët një aktakuzë e re për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ish polici i Kosovës, Haris Kelmendit pritet që shumë shpejtë të përballet më një aktakuzë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi po akuzohet se në qershor të vitit 2020, në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, kishte ushtruar dhunë ndaj të dëmtuarit M.M., duke i shkaktuar lëndime trupore me gjakderdhje.

Prokuroria pretendon se rasti kishte ndodhur pasi që njëri nga personat nga vetura e tipit “Golf”, ia kishte drejtuar armën të dashurës së Kelmendit dhe ia kishte kërkuar rrjetin social “Snap” të njëjtës.

Me 4 mars Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Haris Kelmendit, të cilin e akuzon për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktit akuzues, më 4 qershor 2020 në zyrat e Stacionit Policor në Prishtinë, i pandehuri Kelmendi i cili ishte jashtë detyrës zyrtare kishte keqpërdorur autorizimet e tij, ashtu që derisa i njëjti kishte qenë me të dashurën e tij S. dhe një shoqe të saj në rrugën Enver Zymberi, për një moment sa i kishte lënë vetëm ato, në ato qaste një veturë e tipit “Golf” ishte afruar pranë të dashurës së tij dhe e njëjta veturë posa e kishte vërejtur të pandehurin ishte larguar.

Tutje, aktakuza thotë se i pandehuri Kelmendi në bisedë më të dashurën e tij, kishte kuptuar se njëri nga personat në veturë ia kishte drejtuar armën të dashurës së tij dhe i kishte thënë “ma jep snap chat-in”.

Pas kësaj, i pandehuri kishte reaguar duke u njoftuar policinë në linjën emergjente dhe një patrullë e policisë kishte arritur ta ndalte veturën në fjalë, ku i pandehuri gjatë asistimit të njësisë patrulluese e kishte gjetur armën, e që më pas i pandehuri Kelmendi së bashku me të dashurën e tij dhe shoqen e saj kishin shkuar në Stacionin Qendra për procedurë të mëtutjeshme.

Aktakuza thotë se aty i pandehuri në hapësirat e policisë, pikërisht në dhomën e brifingut ku ishte duke qëndruar i dëmtuari M.M., i pandehuri kishte ushtruar dhunë ndaj tij duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit e duke i shkaktuat lëndime trupore me gjakderdhje.

Me këtë i pandehuri Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”  nga neni 195 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre (3) vjet./Shqip.com