Lajme

Ish-partnerja e Oliver Ivanoviq do të ftohet të dëshmojë për vrasjen e tij

Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Në seancën e së martës, në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, njoftoi palët se dëshmitarja Popoviq është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata përmes e-mailit, por sipas tij e njëjta gjithashtu përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe të situatës politike dhe sigurisë së saj.

Mirëpo, e njëjta sipas gjykatësit Kurtaj ka kërkuar që të dëgjohet përmes video-linkut (platformës virtuale).

Lidhur me këtë dëshmitare, prokurori special Burim Çerkini, deklaroi se për shkak të mungesës së saj shqyrtimi gjyqësor është shtyrë disa herë, mirëpo i njëjti tha se edhe pse është interes i Prokurorisë që kjo dëshmitare të dëgjohet, nuk mund ta presin deri në pafundësi atë.

“Ne kemi një dëshmi të cilën e ka dhënë dhe nëse eventualisht nuk kemi ndonjë e-mail zyrtar që nesër do të jetë prezent, ndoshta sot e njofton gjykatën që nesër do të jetë prezent, atëherë sikurse tek dëshmitarët tjerë ne pajtohemi që seanca të vazhdojë edhe pa dëgjimin e saj, tu e konsideru të lexume dhe të vazhdojmë me planet tjera që i kemi në këtë çështje penale”, tha prokurori Çerkini.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe po ashtu ajo e planifikuar për nesër u anulua.

Ndërkaq, seancat e radhës u caktuan më 25, 26 dhe 29 maj 2023.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka ndërprerë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, raporton Betimi për Drejtësi.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

/Shqip.com