Lajme

Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe tre të tjerët deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Ish-ministrja e Intergrime Evropiane, Dhurata Hoxha dhe të akuzuarit të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushu janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjykatësi Vesel Ismaili, bëri të ditur se të akuzuarit kërkesën lidhur me hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave mund ta bëjnë në afat prej 30 ditësh.

7 muaj më parë Gjykata kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Dhurata Hoxhës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events”  me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë./SHQIP.com