Lajme

Ish-ministri i Inovacionit kërkon dorëheqjen e Arbërie Nagavcit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, thotë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duhet të jep dorëheqje nga pozita të cilën e mban, njofton Shqip.com

Shala thotë se kjo kërkesë i shtrohet Nagavcit për shkak të vendimit të fundit që është marrë për t’u shtyrë fillimi i procesit mësimor deri më 13 shtator.

Sipas ish-ministrit Shala, e para e Ministrisë së Arsimit në Kosovë nuk është e aftë për të menaxhuar me procesin mësimor.

“Ministrja arbërie nagavci duhet të japë dorëheqje. as mësim me pjesëmarrje fizike as mësim online, por u shty për 13 shtator!”, ka shkruar ai në një postim në facebook.

Shala ka arsyetuar mbajtjen e mësimit në mënyrë virtuale, duke thënë se raportet që merren me analizën e të dhënave tregojnë se në janar të vitit 2020, qasja në internet ishte dikur rreth 90 për qind.

“Ministre siguroju mjete teknologjike nxënësve dhe mësimdhënësve dhe filloje mësimin online nëse nuk mundesh fizikisht, pasi që i ke parakushtet”, thotë më tej ai.

Shala më tej ka përkujtuar një deklaratë të Nagavcit të bërë më datë 6 korrik të këtij viti, lidhur me vazhdimin e procesit mësimor në shtator.

“Synimi jonë është që të vazhdojmë me prezencë fizike. Është një hap i mirë që ka filluar vaksinimi i mësimdhënësve dhe në shtator do të kemi të vaksinuar të gjithë mësimdhënësit. Besojmë se do të jetë me prezencë fizike në shkolla, por do të jemi të gatshëm edhe për forma të tjera”, thuhet të ketë thënë ajo.

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhje nga ora 16:00, ku pritet të merret vendimi për masat e reja anti-COVID, ndër të cilat është edhe shtyrja e procesit mësimor deri më 13 shtator. /Shqip.com