Lajme

Ish-kryetarja e Preshevës: Lajçak dhe Escobar ju ftoj që t’i takoni edhe shqiptarët në Serbi

Ardita Sinani

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka shprehur keqardhje nga të dërguarit amerikan për Ballkanin Përndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për faktin se asnjëri nga këta nuk i takuan të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi.

Sinani i ka kërkuar Lajçakut e Escobarit që t’i takojë, qoftë edhe veç për t’i dëgjuar deputetet shqiptarë në Serbi.

“Keqardhje që të nderuarit z.Gabriel Escobar dhe z.Miroslav Lajçak nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. Z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, shkroi ajo.

Ajo tha se është i kuptueshëm takimi i Escobarit e Lajçakut me kryetarët e katër komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës pas tensioneve, por e pakuptueshme mungesa e takimeve me deputetët e Luginës së Preshevës.

I dërguari amerikan për Ballkanin Përndimor, Gabriel Escobar dhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.”, ka shkruar Sinani.

Sinani, ka përmendur shumë probleme me të cilat shqiptarët e Luginës përballen për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi.”, shkroi Ardita Sinani.

Ish-kryetarja e Preshevës, tha se përfshirja e përfaqësuesve nga të dyja palët në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit./Shqip.com