Lajme

Ish-kryetari i Shtërpcës akuzohet se jashtligjshëm përfitoi para, vetura e shtepiza në Brezovicë

Bratislav Nikoliq

Ish-kryetari të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliqit iu është ngritur aktakuzë nën dyshimin se kundërligjshëm ka përfituar mbi një milionë euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.

Betim për Drejtësi, ka siguruar aktin e aktakuzës, Bratislav Nikoliq akuzohet për katër vepra penale si: keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, Nikoliq thuhet se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, ka mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.

Nikoliq akuzohet se përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quko Co”, Alban Quka, ka përfituar 210 mijë euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”.

Përveç 210 mijë eurove të përfituara, Nikoliq akuzohet se kishte përfituara të holla në vazhdimësi për dhënien e lejeve ndërtimore.

  • 200 mijë euro përfitim për lejen ndërtimore te objektit hotelier “Stella Consulting“, me person përgjegjës, Gentian Sulo,
  • 240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport“, Rijad Hasani,
  • 100 mijë euro për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida“,
  • 100 mijë euro nga i pandehuri Blerim lmeri, për marrjen e 10 lejeve ndërtimore,
  • 80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku, për marrjen e lejes për ndërtimin e objektit banesor me 14 apartamente,
  • 30 mijë euro nga personi Husein Ajdini, për marrjen e lejes ndërtimore për objektin hotelier “Rock“,
  • 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova“,
  • 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva” për marrjen e lejes për gjashtë vikend-shtëpiza,
  • Një veturë e markës “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro,
  • 3 vikend-shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro.

Tutje, përveç këtyre dy veprave penale, Nikoliq sipas aktit akuzues po akuzohet edhe se ka ushtruar ndikim tek persona kompetent, përkatësisht të hollat dhe dhuratat që i kishte pranuar nga personat e lartcekur i kishte marrë edhe me qëllim që të ushtrojë ndikim tek drejtori i kadastrit Sasa Milosavljevic dhe drejtori i urbanizimit Dimitrije Racicevic, këta dy të fundit tashmë të akuzuar lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, Nikoliq po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi siç thuhet në aktakuzë, më 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij i ishte gjetur një armë e tipit “Cërvena Zastava” dhe dy karikatorë të kalibrit 9 mm dhe një armë shigjetë. Të gjitha këto, i janë sekuestruar nga Policia.

Ndryshe, Nikoliq gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021.

/Shqip.com