Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it: Kosovarët janë lodhur nga premtimet për viza

“Populli i Kosovës është i lodhur nga premtimet e pafundme. Vetëm veprimi do të rivendosë besueshmërinë. Fjalët nuk mjaftojnë më”.
Kështu ka shkruar ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons.
Sipas Simmons, vetëm një veprim konkret për heqjen e vizave do ta rivendoste besimin e qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën Simmons e kishte bërë edhe në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në qershor.

Theksojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, të hënën ka shkruar rreth katër vjetorit që kur Komisioni Evropian ka konfirmuar për herë të dytë se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Shefi i qeverisë thotë se Kosova është vendi më demokratik dhe pro-Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por më i izoluari.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti./Shqip.com