Lajme

Ish-komandanti i FSK-së: SHBA gaboi që e përjashtoi Kosovën nga ‘Defender Europe’

Ilustrim

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.

Krejt kjo pasi Qeveria nuk përfilli kërkesat e amerikanëve sa i përket situatës në veri, e që kishin të bënin me tërheqjen e njësiteve policore nga tri ndërtesat komunale në veri dhe të kryetarëve të komunave nga ato objekte.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, tha ambasadori.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka deklaruar se përjashtimi nga kjo stërvitje është hendikep i madh për FSK-në por që nuk i rrezikon aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Ky përjashtim nuk i rrezikon aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, mirëpo është shumë një hendikep i madh për Ushtrinë e Kosovës sepse ka qenë një mundësi e madhe sepse që një vit e gjysmë që ushtria e Kosovës ka marrë pjesë në planifikimin, përgatitjen e ushtarëve, oficerëve e nënoficerëve për me e zbatu këtë ushtrim, me marrë një eksperiencë shumë të madhe në planifikim dhe ekzekutim të ushtrimeve, me ndërtu ura në mes oficerëve, nënoficerëve e ushtarëve të NATO-s me ushtrinë e Kosovës, me marrë përvoja në përdorimin e pajisjeve dhe armatimeve moderne që i ka NATO-ja”, tha ai për Tëvë1.

Sipas tij amerikanët bën gabim me përjashtimin e Kosovës nga ky ushtrim, pasi sipas tij, nëse do të duhej të kishte sanksionim, kjo do të duhej të bëhej për politikanët.

E ambasadori amerikan Hovenier, ka thënë që po mendohet edhe të mirren masa të tjera ndaj Kosovës, pas mosbindjes ndaj kërkesave amerikane.

/Shqip.com