Ish-kandidati i VV-së për deputet propozohet për anëtar të Bordit të AKP-së
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, të martën ka miratuar propozimin e kandidatëve për bord të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.
Në mesin e emrave të propozuari është edhe një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Mentor Hyseni, i propozuar nga Qeveria për anëtar të Bordit të AKP-së, ka qenë kandidat për deputet i VV-së në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
I njëjti nuk kishte arritur të zë ulëse në Kuvendin e Kosovës, por gjatë Qeverisë Kurti 1, ishte emëruar Kryesues i Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi Prishtina”. Ky emërim ishte bërë pa konkurs dhe pa konsultim me kompaninë britanike që ishte caktuar për të mbikëqyrur procesin e të përzgjedhurve.
Ndërsa, emrat të tjerë të propozuar për anëtarë të Bordit të AKP-së janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së./SHQIP.com