Lajme

Ish-eurodeputetja Pack vlerëson përkushtimin e qeverisë për të sjell ndryshime në Kosovë

Kryeminstri Albin Kurti dhe ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-deputeten e Parlamentit Evropian, Doris Pack, shkruan SHQIP.

Kurti e ka falënderuar atë për kontributin shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës.

Pack përgëzoi kryeministrin për marrjen e detyrës dhe për frymën e re që sollën zgjedhjet e funditsi dhe vlerësoi përkushtimin e Qeverisë për të sjellë ndryshime në vend.

Po ashtu ajo ritheksoi mbështetjen e saj për Kosovën dhe rajonin, në përpjekjet për paqe, siguri dhe integrim në Bashkimin Evropian.

“U bisedua për zhvillimet politike në vend dhe prioritetet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve nga jashtë. Po ashtu, u diskutua për të arriturat gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes si dhe takimin e 15 qershorit në Bruksel mbi kapitullin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Shefi i ekzekutivit theksoi planet e qeverisë lidhur me sistemin e edukimit dual dhe mundësitë e bashkëpunimit me shtetet evropiane dhe mërgatën tonë nga shtetet gjermanofolëse, si dhe sjelljen e përvojave të mira për kontekstin e Kosovës./SHQIP.com