Lajme

Ish-ambasadori holandez: Me këtë marrëveshje Serbia njeh ‘de facto’ Kosovën

Robert Dosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka krijuar debate të forta në seancën plenare të Kuvendit ditën e sotme.

Opozita e ka akuzuar kryeministrin Kurti për mos transparencë sa i përket dialogut dhe asaj se si interpretohen nenet e marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në një përgjigje për Shqip.com, ka theksuar se marrëveshja e Brukselit është një fitore për shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Të gjitha 11 pikat ishin kryesisht pozitive, pasi “de facto” nënkupton njohjen. Nenet që flasin për rritjen e të drejtave të pakicës serbe janë në rregull, derisa SHBA theksoi se zbatimi i tyre, nuk duhet të bëhej kundër kushtetutës”, tha Bosch për Shqip.com.

E kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë integrimit të Kosovës, pavarësisht vetos së vendosur nga disa shtete, thotë Bosch.

“Nëse do të zbatohej, do të hapte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare me kusht që vendet si Rusia, të mos mund të bllokonin edhe sikur Serbia të mos bllokonte, por duket se nuk i pranon këto nene të rëndësishme”, thekson ish-ambasadori Bosch.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Asociacionit, Bosch mendon se kompetencat ekzekutive, do të ishin të pakuptimta për faktin se serbët në Kosovë, tashmë veçse kanë fuqi të madhe përmes 10 vendeve të tyre të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, qytetarët e Serbisë, duhet të ballafaqohen me realitetin dhe të mos jetojnë në një realitet të sajuar e bazuar në nacionalizëm.

“Të gjitha qeveritë në Serbi qysh nga koha e Millosheviqit, ia kanë larë trurin qytetarëve dhe është e vështirë për ta ndryshuar situatën. Vuçiq nuk duhet të vazhdojë me të njëjtën logjikë”, u shpreh Bosch.

Në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte refuzuar të nënshkruar dokumentin e implementimit të marrëveshjes së propozuar, për dallim prej kryeministrit Kurti që është shprehur i gatshëm në çfarëdo kohe për ta nënshkruar.

Në dinamikën e marrëveshjes dhe takimeve, më 18 mars është paralajmëruar një takim i ri mes dy liderëve, në Ohër të Maqedonisë.

/Shqip.com