Lajme

Ish-ambasadori Bosch për Shqip.com: Asociacioni është gabim, marrëveshja finale duket larg

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch

Në Kosovë, javën e kaluar ka qarkulluar nëpër ballinat e mediave një lajm rreth “Draftit gjerman”, e që tregonte natyrën se si mund të funksionojë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Profile të larta të politikës evropiane nuk e kanë mohuar ekzistencën e draftit.
Drejtuesit e institucioneve reaguan ndaj këtij dokumenti.

Presidentja Osmani e quajti “fake news”, derisa ekzekutivi tha se nuk heq dorë nga moslejimi i formimit të këtij asociacioni njëetnik.


Një prej personaliteteve që po vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me zhvillimet në Kosovë, mbetet ish-ambasadori i Holandës në vendin tonë, Robert Bosch.

Në një intervistë për Shqip.com, ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel rreth krijimit të Asociacionit nuk duhej nënshkruar asnjëherë sepse vetëm sa e ka dëmtuar procesin.

“Për mendimin tim, asnjëherë nuk do duhej të kishte marrëveshje për asociacionin. Por, në rast se do të formohet kjo bashkësi e komunave, atëherë duhet të ndodh vetëm duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërtën do të ishte dëm i madh për shtetin e Kosovës”, tha Bosch.

Sipas tij, është interesant fakti se pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar asnjëherë në Parlamentin e Serbisë.

Për më tepër ai pyet se kush është Serbia që të adresojë kritika në këtë drejtim.

Kurse për arritjen e një marrëveshjeje finale, Bosch thotë se palët duket se janë ende larg nga njëra-tjetrës.

“Unë nuk jam aq optimist për një marrëveshje të shpejtë sepse palët janë skeptike dhe nuk duket që janë të gatshme për një zgjidhje gjysmë të përhershme. Kjo e fundit edhe është e kuptueshme”, shprehet Bosch.

Por propozimi franko-gjerman me shembullin e dy gjermanive sipas tij, do ishte një rrugëdalje e mirë për të ngrirë konfliktin dhe që asnjëra palë të mos e humbiste fytyrën para popullit.

Derisa, vazhdimin e skepticizmit për liberalizimin e vizave për kosovarët, Bosch e quan skandaloz.

“Procesi i vizave është kthyer pak a shumë në skandal. Kushtet e reja që bëri Franca, të cilat nuk u bënë kurrë në asnjë vend tjetër, janë të tepërta. Kosova ka pritur gjatë, i plotëson të gjitha kriteret, kështu që nuk ka arsye për të pritur që sistemi kompjuterik të bëhet funksional. Kjo merr shumë kohë, duke u nisur nga e kaluara”, tha Bosch.

Muaji nëntor sipas tij duhet të jetë përfundimtar në kuptimin e dhënies së dritës së gjelbër.

“Kështu që shpresojmë që liderët muajin e ardhshëm më në fund t’i përmbushin premtimet e tyre dhe Kosova më në fund të marrë lirinë e vizave të merituar prej kohësh”, ka thënë për Shqip.com, ish-ambasadori Bosch.

Bosch ka qenë një nga ambasadorët më aktiv në Kosovë, për faktin se jo rrallë herë ka dalë nga ombrella e gjuhës diplomatike.

Robert Bosch, ishte ambasador i Holandës në Kosovë, gjatë periudhës 2010-2015.

/Shqip.com