Lajme

IPK suspendon tre zyrtarë policorë, u përfshinë në dy raste të ndryshme

Arkiv
Arkiv

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë.

Tre zyrtarët policor dyshohet se janë përfshirë  në dy raste të ndryshme, një në Kllokot dhe një rast tjetër në Fushë Kosovë.

Sipas njoftimit është bërë e ditur se Informatat e para për rastin e Kllokotit IPK i ka pranuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë  janë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Një qytetar kishte raportuar në Linjën e Kaltër se këta dy zyrtarë policorë nuk kanë ndërmarrë veprimet hetimore ndaj të dyshuarve pas ankesës së tij (duke mos përfshirë  në deklaratën e tij kërcënimet që ai kishte pranuar nga një zyrtar i lartë i komunës së Kllokotit).Pas verifikimit të informacioneve të pranuara nga ankuesi, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar hetime me dyshimin se dy zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës, ilustrim

Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës zyrtarët e përfshirë si të dyshuar në këtë rast janë suspenduar.

Ndërsa në rastin e dytë, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes.

“Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se, Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me dy rastet ./Shqip.com