Lajme

IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Foto e ilustruar

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga IPK-ja.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në Njësinë Rajonale të trafikut rrugor-NRTRR në Ferizaj)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu sipas njoftimit është bërë e ditur se, IPK përmes rrugëve operative kishte pranuar një informatë se më 15.04.2022, zyrtarët policorë të NRTRR-Ferizaj e kanë ndaluar një qytetar për vozitje të shpejtë (104 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km/h) dhe ia kanë shqiptuar tiketën në vlerë 500 euro, një vit ndalesë të drejtimit të mjetit motorik dhe 5 pikë negative, sipas nenit 55 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor 05/L-088.

“Katër ditë pas shqiptimit të tiketës është anuluar tiketa e parë, i është kthyer patentë shoferi qytetarit dhe i është shqiptuar tiketë e re vëllait të qytetarit për vozitje pa patentë shofer duke e anashkaluar plotësisht Komisionin për Vendosje si autoritet i vetëm për anulimin ose jo të tiketave në trafikun rrugor, sidomos kur ka masë mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Me këtë rast, dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se nga zyrtarët policorë (tashmë të suspenduar) është manipuluar tiketa dhe rasti./Shqip.com