Lajme

IPK rekomandon suspendimin e dy policëve që i shkaktuan lëndime një qytetari derisa ishin jashtë detyrës

Inspektorati Policor i Kosovës, ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë si shkak i dyshimit se ata kanë lënduar një person jashtë orarit të tyre të detyrës.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur dje në një fshat të komunës së Vushtrrisë, kurse ankuesi në këtë rast është intervistuar nga hetuesit e IPK-së.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë. Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar nga policia lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë (jashtë detyrës zyrtare) janë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë thënë se do të vazhdojnë hetimet deri në ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./SHQIP.com