Lajme

IPK: Personat e paautorizuar kanë qasje në dhomat ku ruhen dëshmitë

Policia e Kosovës është duke treguar dobësi në menaxhimin e dhomave ku ruhen dëshmitë e ndryshme.

Kështu thotë raporti i Inspektoratit Policor i cili ka gjetur se në dhomat ku ruhen dëshmitë kanë qasje personat e paautorizuar (zyrtar policor). 

Sipas IPK-së në çelësin e dhomës së dëshmive lejohet të ketë qasje vetëm zyrtari përgjegjës i dhomës së dëshmive si dhe komandanti i Stacionit Policor. 

Mirëpo kjo procedurë nuk respektohet në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut pastaj në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut sepse në çelësin e dhomës së dëshmive kanë qasje edhe shefat e hetimeve.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë nuk ka respektuar kriterin që çelësi të jetë në zarf të mbyllur. 

Kurse sipas raportit në stacionin policor Prishtinë-Qendër, çelësi i dhomës mbahet nga zëvendës komandanti pasi pozita e komandantit nuk është plotësuar.

Kurse komandanti i Stacionit Policor, Prishtinë-Veriu nuk mban fare çelës të dhomës së dëshmive.

Dhomat e dëshmive në Gjakovë, Pejë dhe Prishtinë-Qendër nuk kanë sistem të alarmit

Raporti thekson se dhomat e dëshmive duhet të kenë instaluar alarmin i cili aktivizohet kur hapet dera pa autorizim. 

Alarmi aktivizohet nga detektorët e lëvizjes i cili  regjistron edhe hyrjet.

Në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq është instaluar sistemi i alarmit por i njëjti nuk është funksional. 

Kurse në Gjakovë, Pejë dhe në Prishtinë nuk është instaluar sistemi i alarmit në dhomat e dëshmive.

Është paraparë që dhomat e dëshmive duhet të jenë të monitoruar me sistem të kamerave të cilat vendosen në pjesët hyrëse të dhomave dhe në hapësirat e brendshme i cili monitorim duhet të deponojë imazhet në procesorin e serverit. 

Stacioni Policor në Prizren dhe Pejë nuk kanë të vendosura kamera para hyrjes në dhomat e dëshmive.

Kriter tjetër sa i përket sigurisë është pajisja e dhomave me aparate për shuarjen e zjarrit dhe detektorë të tymit.

Të gjitha dhomat e dëshmive të inspektuara kanë qenë të pajisura me aparate për shuarjen e zjarrit dhe me detektor.

Mirëpo në Mitrovicën e Jugut dhe në Gjakovë sistemi është jashtë funksionit.

Dhoma e dëshmive në Prishtinë sigurohet nga një dërrasë

Në Stacion Policor në Prishtinë-Qendër, dritarja në dhomën e dëshmive sigurohet nga një dërrasë.

Kërkohet që dritarja të sigurohet me grila mirëpo ky kriter nuk është respektuar.

Edhe në Leposaviq në dhomën e dëshmive ekziston dritarja e cila nuk është e siguruar.

Raporti thekson se ka disa dobësi teknike tek dyert e dhomës së dëshmive të cilat nuk janë siguruar mirë.

Sa i përket infrastrukturës është evidentuar se në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor në Ferizaj gjendja nuk është e kënaqshme ngase në bodrumin e objektit ku është dhoma ka nivel të lartë të lagështisë për shkak të depërtimit të ujërave të zeza. 

Dhoma nuk është e pastër dhe ndriçimi është i dobët dhe si pasojë këto kushte pamundësojnë zhvillimin e një procesi të rregullt të punës.

IPK-ja i ka rekomanduar  drejtorit të departamentit për operacione që bashkë me drejtorin e departamentit të shërbimeve mbështetëse të  inspektojnë kushtet dhe funksionalitetin në disa nga dhomat e dëshmive dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme drejt permisimit të kushteve teknike dhe të sigurisë.

Në Kosovë kanë ndodhur dy raste të vjedhjeve në dhomat e dëshmive.

Rasti i parë ka ndodhur në vitin 2009 ku në dhomën e dëshmive është vjedhur drogë dhe dëshmi të tjera. 

Në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë punonjësit e policisë.

Kurse në vitin 2012 janë vjedhur 25 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë.

Edhe në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë zyrtarët policor. /Shqip.com