Lajme

IPK: Drejtori i Policisë është intervistuar për një rast tjetër, jo për kapjen e 400 kilogramëve drogë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një sqarimi publik ka mohuar se intervistimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, lidhet me rastin e kapjes së 400 kilogramëve drogë në hyrje të Lipjanit që kishte ndodhur në maj të këtij viti.

Sipas komunikatës për media, Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit IPK njofton se intervistimi i tij nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike të cilin rast është duke e hetuar vet Policia e Kosovës”, thuhet në sqarimin e IPK-së.

“Inspektorati Policor i Kosovës duke i falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, inkurajon mediet që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen Divizionit për bashkëpunim dhe informim të IPK-së për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave të sakta, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik”.

Në muajin maj të këtij viti, 400 kilogramë kokainë ishin gjetur në një kamion në Lipjan dhe dyshohet se destinacion kanë pasur Gjermaninë.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë përveç kokainës kanë sekuestruar edhe të holla, vetura dhe gjëra të tjera.

Shtatë persona janë arrestuar si të dyshuar për këtë rast./SHQIP.com