Lajme

IPK: 13 nga 41 stacione policore në Kosovë nuk kanë radar fare, tre stacione policore e kanë vetëm një veturë për 22 zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës sot gjatë ditës ka publikuar raportin e inspektimit për “Pajisjet policore në funksion të aktiviteteve operative – administrative”.

Në bazë të raportit të publikuar nga IPK-ja del se nga 41 stacione policore 13 prej tyre nuk e kanë fare pajisen e radarit.

Po ashtu është bërë e ditur se në stacionin policor në Skenderaj, Mitrovicë e Veriut , Deçan ekziston vetëm një veturë për 22 zyrtarë policorë.

Ky raport është bërë gjatë datës 28 shkurt të këtij viti. Ky inspektim është iniciuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së

“Ky inspektim është iniciuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar nivelin e pajimit të stacioneve policore me pajisje. Inspektimi është përqendruar në 41 stacione policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike të Departamentit për Operacione të Policisë së Kosovës.

Inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se stacionet policore janë të pajisura mjaftueshëm me pajisje përfshirë automjetet, matësit e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve, alkootestet, pajisjet e teknologjisë informative” thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lidhur me rezultatin e inspektimit janë dhënë katër rekomandime.

“1. IPK-ja kërkon nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës që të bëjë shpërndarjen e automjeteve policore në disa prej drejtorive rajonale. 2. IPK-ja kërkon që të shqyrtohet situate aktuale sa i përket radarve dhe alkooltesteve. 3. IPK-ja kërkon që të rishikohet  politikat aktuale të shpërndarjes së paisjeve të printimit e kopjimit. 4. Të shqyrtohet kontrata me mbikëqyrin lidhur me shërbimet e printimit dhe kopjimit” thuhet në raportin e IPK-së.

Detajet nga ky raport mund ti lexoni duke klikuar në këtë link./Shqip.com