Lajme Botë

Investigimi tronditës i BBC: Roja bregdetare greke mbyti në det mbi 40 emigrantë

Një hetim nga BBC-ja ka zbuluar se veprimet e rojës bregdetare greke kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 emigrantëve gjatë një periudhe trivjeçare.

Dëshmitarët, përfshirë nëntë që u hodhën qëllimisht në ujë, kanë rrëfyer se janë shtyrë ose detyruar të rikthehen në det pasi arritën në ishujt grekë.

Pamje të emigrantëve që ngarkohen në një varkë të rojës bregdetare greke dhe më pas braktisen në gomone janë cilësuar si “qartësisht të paligjshme” dhe një “krim ndërkombëtar” nga një ish-oficer i lartë i rojës bregdetare greke. Qeveria greke mohon të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.

Nga analiza e 15 incidenteve midis majit 2020 dhe majit 2023, janë dokumentuar 43 vdekje.

Verifikimi i rrëfimeve është i vështirë, por në katër raste BBC-ja ka mundur të konfirmojë detajet me dëshmitarë okularë.

Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke. Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u gjuajtën.

Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin futur në gomone të fryrë pa motorë, të cilët më pas u shfrynë, ose dukej se ishin shpuar.

Një emigrant nga Kameruni ka rrëfyer se u hodh në det nga autoritetet greke pas zbarkimit në ishullin Samos në shtator 2021, ndërsa dy të tjerë që ishin me të, Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana, u gjetën të vdekur në vijën bregdetare turke.

Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë hetim për vrasje të dyfishtë ndaj autoriteteve greke.

Qeveria greke është akuzuar prej kohësh për kthime të detyruara – duke i shtyrë njerëzit drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

/Shqip.com