Kulturë

Intervistë / Thomaidha Tanuçi: Poezia është e folura e brendshme, bashkudhëtare

Thomaidha Tanuçi / Poete
Thomaidha Tanuçi / Poete

Temat e trajtuara në këtë intervistë i qasen çështjeve që lidhen me artin e të shkruarit, stilin, rrëfimet, raportin lexues/studiues, por mbi të gjitha, krijojnë një ndjenjë të bukur e të veçantë për secilin lexues.

Thomaidha Tanuçi është poete e talentuar nga Përmeti i Shqipërisë. Mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Është autore e veprave me poezi: “Frymë e ujët hapash të kaltër”, ProkultPres, Prishtinë, 2016, “Anormale”, Kumanovë, 2020, “Sonata e shiut”, ProkultPres, Prishtinë, 2021 dhe “Petale drite”, ProkultPres, Prishtinë, 2022.

Thomaidha jeton në Tiranë, pa harruar qytetin e lindjes Përmetin, që i dha shpirtin e kulluar të Vjosës dhe lartësinë e majave.

Shqip.com: Po e nisim këtë intervistë me pyetjen: Kush është Thomaidha Tanuçi?

Një shpirt që ecën, herë flet me vete, herë përsiatet në natyrë dhe bëhet njësh me të. (Nuk kam dëshirë të prezantohem si në autobiografi).

Shqip.com: Na flisni pak për rrugëtimin krijues?

Thomaidha Tanuçi: Kam shkruar që në shkollën 8 vjeçare. Hartimet i shoqëroja gjithmonë me poezi. Ja një strofë e hershme për Historinë e Gurit të Qytetit, pasi unë jam nga Përmeti.

“Populli e përjetoi,
atë akt, në atë shkrep,
prandaj gdhendi në atë gur,
dy gërsheta dhe një djep”.

Kështu poezia ka qenë e folura e brendshme, bashkudhëtare.

Thomaidha Tanuçi – Poete

Shqip.com: Pothuajse çdo krijues që merret me artin e të shkruarit e ka një udhërrëfyes. Kush ka ndikuar në krijimtarinë tuaj?

Thomaidha Tanuçi: Nuk mund ta them me siguri, unë mendoj qenësia ime. Nëna ime më rrëfente shumë këngë dhe balada nga krahina e saj; dhe ajo rrëfen bukur; ndoshta e kam trashëgim prej saj shpirtin e ndjeshëm.

Shqip.com: Lëvroni me mjeshtëri vargëzimin haiku dhe tanka. Sa është e vështirë të lëvroni këtë vargëzim?

Thomaidha Tanuçi: Them se mbas suksesit të librit me Haiku dhe Tanka, “Petale Drite”, ku mora dhe bekimin e Reshida Çobës, në parathënien e librit që ajo bëri, mund ta konsideroj veten dhe një poete Haiku, poete ku duhet një observim, përqendrim e inteligjencë e veçantë. Gjej rastin të falënderoj redaktorin e librit Ilir Resnja, për punën e lavdëruar që ka bërë.

Shqip.com: Çka mendoni se e veçon krijimtarinë tuaj?

Thomaidha Tanuçi: Krijimtaria ime është përkitëse do të thosha. Lexuesit e mi pasi më lexojnë, burrat (nuk më pëlqen të them: “meshkujt”) kujtojnë se e kam krijuar për ta, kurse vajzat dhe gratë kujtojnë se kam shkruar historinë e tyre. Kjo gjë mua më gëzon.

Shqip.com: Për stilin e të shkruarit zakonisht merren studiuesit, por cili është stili i juaj i të shkruarit?

Thomaidha Tanuçi: Me thënë të drejtën unë nuk e di stilin tim. Poezitë me rimë ashtu më lindin, nuk e kërkoj rimën ajo më gjen vetë. Vargu i lirë më rrjedh, mund të them se unë s’e di as vetë se  çfarë jam, vetëm kur zgjohem nga abstragimi, shoh atë që kam realizuar dhe e shijoj duke lexuar e rilexuar derisa bindem se vlen.

Shqip.com: A ka elemente autobiografike brenda artit tuaj poetik?

Thomaidha Tanuçi: Pothuaj e gjithë krijimtaria është një mbresë e fortë nga jeta ime.

Rrëfimi im është i pastër, figurativ, iu përket standardeve e kohërave të ndryshme, ku përpiqem të kem një ekuilibër midis fjalës së shkruar e mendjes së vërtetë.

Shqip.com: A mendoni se mund të mbijetojë një krijues me artin e të shkruarit?

Thomaidha Tanuçi: Asnjëherë nuk e kam parë krijimin si mënyrë jetese. Nuk bëhet fjalë që një poet të jetojë prej krijimtarisë së vet. Ekzistojnë edhe rrjetet sociale dhe poezia mund të lexohet aty dhe pa e blerë librin. Duhet të jemi të vetëdijshëm se lexuesi ynë nuk mundet të ketë prioritet të shkojë të blejë një libër me poezi. Të lexosh është komoditet. Do kohë dhe kushte.

Shqip.com: Cili është reagimi i lexuesve / studiuesve në raport me krijimtarinë tuaj?

Thomaidha Tanuçi: Lexuesit e kanë shoqëruar dhe njohin mirë krijimtarinë time në vite dhe në detaje, disa prej tyre dhe i kanë mesuar poezitë e mia. Nga studiuesit dhe poetët në zë të letërsisë sonë, kam marrë bekimin e tyre, nuk po i përmend me emra dhe me kujdesin për të mos harruar dikë, po u jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese, por mund të them një histori nga poeti ynë Bardhyl Londo, që shkruan një koment një ditë prej ditësh: “Nga ç’ qiell ka rënë kjo poete që po lexoj?!”

“Nga i njëjti qiell që keni rënë dhe Ju.”, – (Nuk e dinte se dhe unë isha nga Përmeti si Ai.)

Jam ndier e vlerësuar si poete, e zgjedhur midis shumë të mirëve poetë, nga poetja e njohur Luljeta Lleshanaku; isha në listën e 10 poetëve  për projektin “Sabbat 2017”

Shqip.com: Më shumë ju “provokon” të shkruani njeriu apo natyra?

Thomaidha Tanuçi: Në natyrë bëhem lule, bar, pemë, gjethe. Fuqia ime imagjinare  shkon përtej fantazisë së perceptimeve shqisore. Kam marrë shpesh vlerësime të një dimensioni ndryshe për metaforat që përcillen në poezitë e mia… Gjithmonë përdor një krahasim a metaforë që nuk lë përshtypjen e lojës, zvendësimin që i bëhet arsyes poetike.

Shqip.com: Pse mendoni se duhet të lexohet krijimtaria juaj?

Thomaidha Tanuçi: Sepse çastet që kalon me poezinë time, është si të prekësh diçka hyjnore. Them kështu, sepse jo shpesh shkrimtarët e poetët posedojnë aftësinë, guximin për t’i bërë të dukshme, të veçantat e krijimit të tyre, qofshin ato superlativa të krijimit apo lodhje, momentet e humbura. Ky është gjykimi, besimi im dhe dua të besoj te vetja. Kështu mundem të kontrolloj mirë, të bëj saktë analizën e gjërave që mbajnë emrin e poetes Thota. Përjetoj shumë kënaqësi kur krijoj gjëra të bukura dhe më bëjnë të mendoj parajsën dhe, po aq e gjykoj, i kërkoj llogari vetes kur lodhja e dështimi i diçkaje, më bën të mendoj “ferrin” e të qenit poet.

Shqip.com: Jeni pjesë e shumë antologjive. Si ndiheni në këto raste?

Thomaidha Tanuçi: Ndihem mirë, por brenda vetes nuk e shoh as si mburrje, as si krenari. Falënderoj hartuesit. Antologjitë janë subjektive, kurse në antologjitë ndërkombëtare kam dërguar poezitë dhe kam marrë përgjigje se do të futesha nëse e meritoja dhe rezultati; jam bërë pjesë e tyre.

Shqip.com: Krejt për fund. Cili është mesazhi që përçoni përmes artit tek lexuesit?

Thomaidha Tanuçi: Përulësi, urtësi, durim, thjeshtësi, humanizëm, dashuri.

Unë dhe në dhembje jam e dashur. Ju falem nderit juve dhe falënderoj të gjithë lexuesit e faqes.

/Shqip.com