Lajme

Intervistë me Agim Aliun: Asociacioni vetëm sipas Kushtetutës, qeveria s’po bashkëpunon me komunat

Agim Aliu - Kryetar i Komunës së Ferizajt dhe i Asociacionit të Komunave të Kosovës

Përderisa Kosova gjindet para zgjidhjeve të mëdha, siç është arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është nyja e pazgjidhur mes palëve në dialog.

Një asociacion me kompetenca ekzekutive, përveç qeverisë e kuvendit, kundërshtohet ashpër edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, në intervistën e dhënë për Shqip.com, është shprehur se çkado që kalon përtej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e ka përkrahjen e AKK-së.

Ai thotë se për këtë çështje, ata nuk janë konsultuar nga Qeveria e Kosovës dhe se herët e vetme që ata ishin të përfshirë në dialog, ishte ftesa e ardhur nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Aliu ka folur edhe për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Ferizajt, siç është ngecja e punimeve në ndërtimin e spitalit të ri rajonal, ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit dhe për procesin i punimeve në stacionin e ri të autobusëve.

Opozita në Kuvendin Komunal, e përbërë nga VV-ja dhe LDK-ja e akuzojnë shpeshherë Aliun për betonizimin e qytetit me ndërtimet e larta, derisa kreu i kësaj komune i ka mbështetur këto investime.

Qyteti i Ferizajt është tatimpaguesi i dytë në Kosovë, ndërsa për kokë banori është komuna që e mbushë më së shumti buxhetin e shtetit.

Së fundmi, kjo komunë është ankuar rreth ndarjes së buxhetit, duke u ndjerë e injoruar nga ana e Qeverisë së Kosovës, për sa i përket investimeve kapitale.

Kryetari Aliu e ka cilësuar padrejtësi që i është bërë Komunës së Ferizajt.

Agim Aliu në zgjedhjet komunale të vitit 2021, ka arritur të shënojë fitore pa balotazh në Komunën e Ferizajt, duke fituar mbi 62% të votave të përgjithshme, derisa në këtë intervistë ka folur edhe për planet për të konkurruar edhe për një mandat tjetër.

“Unë kam fituar besim qytetar dhe jo partiak sepse gjatë fushatës unë kam takuar shumë qytetarë të komunës tonë, që më janë drejtuar me sinqeritetin maksimal se pavarësisht ngjyrimeve partiake, ne do të votojmë për shkak të angazhimit tënd në realizimin e premtimeve elektorale”, tha Aliu për Shqip.com

Ndërsa në pyetjen se a planifikon të kandidojë edhe për një mandat, Aliu është përgjigjur se është pak herët për të dhënë përgjigje dhe se para vetës ka shumë punë e premtime për t’i çuar deri në fund.

/Shqip.com