Kulturë

Intervistë / Arben Kondi: Letërsia ime, prej fillit krye këput, përshkruhet kombëtare

Arben Kondi / Shkrimtar, poet e publicist
Arben Kondi / Shkrimtar, poet e publicist

Arben Kondi, poet, prozator dhe publicist i njohur shqiptar. Kritik ndaj politikës shoviniste fqinjësore. Për Kondin, përmbi gjithçka është çështja kombëtare shqiptare. Ai do të mbetet si vazhdimësi e Rilindjes sonë Kombëtare.
Duke qenë njohës i mirë i historisë dhe gjeografisë, pjesa dërmuese e krijimtarisë së tij i kushtohet Çamërisë, por edhe Kosovës dhe mbarë hapësirës sonë etnike.
Mbi të gjitha, është origjina e tij çame, dhe historia e vështirë e kombit, që e ka frymëzuar ta ndjek këtë udhë / artin e të shkruarit.
Shkrimtari Arben Kondi vazhdon të shkruajë pa prerë. Ai do të shndërrohet vetiu në një misionar të shqiptarizmit.

Shqip.com: Jeni autor i më se 30 librave. Si shkruani? Si e kryeni aktin fizik të të shkruarit?

Arben Kondi: Po është e vërtetë. Jam autor i pothuajse 30 librave. Mes tyre janë pesë apo gjashtë vëllime me poezi, katërmbëdhjetë romane, libra me tregime e novela si dhe një triptik në tri vëllime: (“Rikthim në Çamëri”, “Epiri në një këndvështrim të ri” si dhe “Shqipëria etnike, ose njohja e vetvetes”). Pa harruar këtu edhe përkthimet. Si shkruaj? Mbi të gjitha është origjina ime çame që më ka frymëzuar në këtë udhë. Natyrisht është edhe familja ime. Mbi të gjitha babai im Sejdi Kondi, krijues gjithashtu që më ka mëkuar qysh në fëmini me frymën e atdhedashurisë. Pastaj, është historia e vështirë e kombit tonë si në jug e po ashtu edhe në veri, që është përballuar heroikisht dhe ja ka dalë të mbijetojë në shekuj ndaj një politikë shovene fqinjësore greke dhe serbe (Megalaideja dhe Naçerternja) aspak miqësore. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite, përmes mostrave të tipit Millosheviç e Vuçiq, si dhe të tipit Bejleri e Dule kombi ynë ende përjeton presion shoven.

Shqip.com: Punoni çdo ditë apo vetëm në ditë dhe orë të caktuara? 

Arben Kondi: Procesi im krijues është i tillë. Nëse ulem në kompjuter patjetër që do të punoj. Në fillim rishoh ose rregulloj punën që kam kryer më parë. Pastaj përpiqem të shkruaj. Natyrisht. Shumëçka varet edhe nga gjendja shpirtërore. Krijimi mbi të gjitha kërkon qetësi. Nëse ke frymëzim aq edhe më mirë. Thuhet se mëngjesi apo paraditja është më e përshtatshme për të krijuar. Mundet. Por unë nëse kam qetësi mund të shkruaj edhe natën apo edhe pas mesnate. Varet kjo si ndihesh. Sidoqoftë rishikimi i asaj që ke shkruar më parë është tepër i rëndësishëm. Duhet ditur se laboratori krijues i shkrimtarit është në punë ditë e natë. Pse jo, ka raste kur ai zhvillohet edhe në gjumë. Tërë jetën e tij shkrimtari mendon, qëmton, analizon. Si të thuash? Mbushet në shpirt. Pastaj zbrazet në letrën e bardhë. Kjo është krejt normale. Mijëra vjeçare. Ndryshe vërtet është e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Shqip.com: Çfarë roli duhet të luajë shkrimtari në politikën e kohës së tij?

Arben Kondi: Kjo pyetje është e veçantë. Sepse brenda saj mund të ketë dy përgjigje. Gjykoj se sot ka dy lloj shkrimtarësh. Ka nga ata që janë të lidhur ngushtë me politikën, madje marrin pjesë ndjeshëm në të. Ka edhe nga ata që janë larg saj dhe merren vetëm me shqetësimet, botën, krijimtarinë e tyre jashtë politikës. Personalisht i përkas atyre shkrimtarëve që nuk e kanë honepsur kurrë politikën partiake, pra kam qëndruar gjithmonë larg saj. Krijimtaria ime i përket politikës sonë kombëtare dhe aspak partiake. Për mua përmbi gjithçka është çështja kombëtare shqiptare. Për këtë arsye letërsia ime pasqyron si historinë e po ashtu edhe të sotmen e Camërisë, Kosovës, Iliridës, Luginës, Malësisë si dhe diasporës sonë. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet si vazhdim i Rilindjes sonë Kombëtare, që mbi gjithçka e kurdoherë ka vënë çështjen tonë kombëtare dhe jo interesa të tjera. Në këtë këndvështrim, unë falënderoj me zemër mijëra e mijëra shqiptarë kudo që janë në Ballkan e në botë e që i janë gjendur pranë gjithmonë krijimtarisë sime.

Shqip.com: A besoni se shkrimtarët shkruajnë atë që munden ose më mirë atë që duhet?

Arben Kondi: Mendoj se përgjigja e kësaj pyetje lidhet ngushte me pyetjen e mësipërme. Për sa i përket mundësisë krijuese ajo është gjithmonë relative. Kjo është edhe arsyeja që libra të ndryshëm të natyrave të ndryshëm sjellin vlera të ndryshme. Për shembull. romanet e një X autori nuk janë të së njëjtit nivel artistik. Ka prej tyre që të sjellin emocion të madh, ka prej tyre që janë më të zbehtë. Kjo pra lidhet me mundësinë, me gjendjen shpirtërore e shumëçka tjetër që lidhet ngushte me procesin krijues. Përsa i takon pjesës tjetër të pyetjes suaj që lidhet me atë që çfarë duhet të shkruaj shkrimtari, kjo varet nga brendësia, shpirti, interesat e tij. E thashë më lart. Ka shkrimtarë që janë më të ndjeshëm ndaj problematikës shoqërore, ka që janë të lidhur me tematika historike, ka edhe nga ata që janë të lidhur me idera fantastiko-shkencore, si dhe ka nga ata që janë të lidhur ngushtë me çështjen kombëtare.

Shqip.com: Jetoni në disa qytete, duke lëvizur mjaft shpesh nga Malësia Shqiptare në Gjermani, Australi e Kanada dhe gjithashtu në Shqipëri e Kosovë. A ndikon vendi ku jeni në punën që po bëni?

Arben Kondi: Po. Kjo është e vërtetë. Jeta ime si dhe e familjes sime në demokracinë shqiptare ka qenë gjithmonë në lëvizje. Procesi migrues i shqiptarëve më ka përfshirë edhe mua tok me familjen time. Kështu, në fillim të viteve ‘90 kam mërguar në Itali, ku do të veçoja qëndrimin prej dy vjetësh në botën arbëreshe, në Kalabri. Të qëndruarit në Santa Sofia d”Epiro pranë Shën Mitër Koronë e Makit të Jeronim De Radës ka qenë dhe mbetet një eksperiencë e pa shlyer në shpirtin tim. Atje më është dhënë mundësia të njoh nga afër vëllezërit tanë arbëreshë që janë aq krenar për origjinën e tyre. Po ashtu, kam jetuar disa vite edhe në Australinë e largët, ku tok me time shoqe Mirelën dhe djalin tim Arbër mundëm të realizonim për gati tri vjet gazetat e para të shqiptarëve të Australisë me tituj “Shqiptari i Australisë” si dhe “Skëndërbeg”. Dua të theksoj këtu se këto gazeta nisën botimin e tyre me 16 faqe dhe përfunduan me plot 32 faqe. Por lëvizjen më të madhe dhe më emocionuese si mua e po ashtu edhe familjes sime na i ka dhënë lëvizja nëpër mbarë hapësirën tonë etnike.

Shqip.com: Botoni prej mese tridhjetë vjetësh. Pa diskutim mund të themi se pjesa dërmuese e krijimtarisë suaj i kushtohet Çamërisë dhe mbarë hapësirës etnike.

Arben Kondi: Mund të them se botoj prej thuajse plot një gjysmë shekulli. Tani unë jam pothuajse 65 vjeç. Botimet e para i kam në moshën e gjimnazit kur poezitë e mija të para janë botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori” etj. Është e vërtetë se pjesa më spikatëse e letërsisë sime është në vitet e demokracisë shqiptare, pra në këto tridhjetë e ca vitet e fundit. Dhe është normale që duke qenë me origjinë nga Çamëria dhe duke qenë se e njoh mirë si historinë e po ashtu edhe gjeografinë e saj, pjesa më sensible e kësaj krijimtarie i përket vendit të origjinës sime. Por një pjesë tepër të ndjeshme në krijimtarinë time zë edhe Kosova, të cilën gjithmonë e kam përjetuar me të njëjtën dashuri, si edhe Çamërinë. Për këtë arsye veç shumë e shumë librave të tjerë kam botuar edhe dy komplete speciale të veprës sime të zgjedhur që mban titull “Kosovë e Çamëri” me tetë vëllime”, si “100 vjet Çamëri” në gjashtë vëllime. Natyrisht në këtë rrugëtim nuk mund të bënin përjashtim në asnjë mënyrë as Ilirida, as Lugina e as Malësia. Ato janë brenda shpirtit tim.

Shqip.com: Po ashtu, edhe për luftën e Kosovës keni disa romane të botuara. Çka shihet brenda, cila është lënda e tyre?

Arben Kondi: Veç poezive, unë kam edhe tre libra që i kushtohen Kosovës, luftës së saj për liri. “Krimi i fundshekullit” është libri i parë ditar që i kushtohet luftës së UÇK-së. Ai është shkruar dhe botuar në vitin 1999 dhe ka marrë pjesë në Panairin e parë të librit të mbajtur në nëntor të këtij viti në Prishtinë. Ky libër ndjek minutë pas minute tre mujorin e luftës së popullit shqiptar të Kosovës. Në të pasqyrohet e tërë lufta e UÇK-së në çastet me pikante të saj. Po ashtu, në të pasqyrohet e tërë lëvizja diplomatike botërore që zë fill me dështimin e vizitës së Hollbrukut në Beograd më 23 mars 1999, me fillimin e bombardimit të Beogradit nga NATO, me roli i Shqipërisë, etj., etj. I gjithë ky informacion na vjen i sjellë prej mediave me të rëndësishme ndërkombëtare si CNN, RAI, FRANCE-5,TVSH, etj. “Krimi i fundshekullit do të mbetet përjetësisht një pasqyrë e vërtetë ku shihet qartazi krimi dhe gjenocidi serb ndaj popullit tonë, luftës heroike të UÇK-së dhe ndihmës së jashtëzakonshme të NATOS. Libri i dytë është një rrëfim i gazetares së madhe të CNN, Kristiane Amampur, e shoqja e ish zëdhënësit të Ollbrajtit Xhejms Rubin, e cila për tre muaj rresht ndoqi luftën e Kosovës. Kurse, libri i tretë është romani që mban titullin “Tmerri”, i cili nëpërmjet francezes Natali de For e martuar me kriminelin serb Zllatko Iviç (oficer i lartë) i bën një autopsi të thellë gjenocidit serb në Kosovë duke mbetur edhe vetë viktimë e saj. Kam kënaqësi të them se ky roman ka njohur edhe një përkthim në gjuhën  franceze. Do të ishte shumë mirë që ku roman të përkthehej edhe në gjuhën serbo-kroate për t’u bërë i njohur edhe në botën sllave.

Shqip.com: Nga pikëpamja juaj, çfarë e bën të veçantë krijimtarinë tuaj letrare në raport me të tjerë libra të brezit tuaj dhe jo vetëm?

Arben Kondi: Nuk dua të zgjatem shumë në përgjigjen e kësaj pyetje pasi ju takon shqiptarëve si dhe studiuesve të letërsisë për ta përcaktuar këtë. Por mund të shtoj se ajo dallohet prej fillit krye këput kombëtar që përshkruhet.

Shqip.com: Gjithashtu, jeni pjesëmarrës i panairit të parë të librit, si në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup, Ulqin etj. Çfarë rëndësie kanë panairet për një shkrimtar?

Arben Kondi: Unë jam pjesëmarrës në të gjitha Panairet e librit shqip të mbajtur në Tiranë, në Prishtinë, Tetovë, Shkup, Ulqin, Gjilan, Pejë, Prizren, Gostivar, Strugë. Dibër, Tuz etj. Pra, pjesëmarrja në të gjithë panairit e librit shqip në të gjithë hapësirën tonë etnike (përjashto këtu Çamërinë) më ka dhënë kënaqësinë, mrekullinë e të jetuarit si një shqiptar i Shqipërisë Etnike. Kjo është vërtet diçka magjike. Pastaj, gjatë këtyre panaireve më është dhënë rasti të krijoj miqësi të reja vëllazërore, si dhe me këtë rast falënderoj mijëra e mijëra shqiptarë që më kanë qëndruar pranë, pa harruar këtu as shqiptarët e diasporës.  

Shqip.com: Sa mendoni si shkrimtar se është prezantuar letërsia shqipe jashtë kufijve?

Arben Kondi: Duke pasur parasysh numrin e popullit tonë në Evropë e në botë, mendoj se duhet të jemi të kënaqur që ne kemi një shkrimtar të përmasave botërore siç është Ismail Kadare. Romanet e tij janë botuar në thuajse 50 gjuhë të botës, shifër kjo që duhet të shpresojmë se letërsia e tij është shpërndarë në të gjithë rruzullin tonë. Me këtë rast i urojmë shkrimtarit tonë të madh jetë të gjatë.

Shqip.com: Dhe së fundmi, një pyetje, që duket, si e pashmangshme: ç’je duke punuar tani, në këto çaste?

Arben Kondi: Kam në duar dhe po punoj për përfundimin e romanit tim të 10 përsa i takon vendit të origjinës sime, Çamërisë. Dëshiroj që ai të plotësoj një tjetër botim special të veprës sime të zgjedhur prej dhjetë romanësh përsa i takon Çamërisë. Në qendër të romanit tim më të ri që do të titullohet “DEBIMI” është figura e Mit’hat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit, që në vitet 1923-26, ka qenë fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë. Në këto vite popullsia shqiptare në Çamëri, por edhe ajo në Maqedoni e Kosovë janë shpërngulur me dhunë në Turqi. Kjo ka ndodhur pas luftës greko-turke si dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së Lozanës (Zvicër) për shkëmbimin e popullsive mes këtyre shteteve. Në këtë mes shqiptarët muhamedanë pësuan rëndë pasi si Greqi e po ashtu edhe mbretëria serbe-kroate i konsideruan ata me pa të drejtë si turq.

/Shqip.com