Ekonomi Biznes

“Interesimi për të investuar në Bonot e Diasporës tashmë ka arritur në rreth 7 milionë euro”

Ilustrim

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi të martën se interesimi për të investuar në Bonot e Diasporës tashmë ka arritur në rreth 7 milionë euro.

Në një postim në Facebook, Murati tha se mërgimtarët duket se preferojnë investimin më afatgjatë në vend, “sepse mbi 80 për qind e shumës së investuar është në Bonot 5-vjeçare”.

“Interesimi për të investuar në Bonot e Diasporës tashmë ka arritur në rreth 7 milionë euro. Megjithëse kemi ofruar dy afatizime, mërgata jonë duket se preferon investimin më afatgjatë në vend, sepse mbi 80% e shumës së investuar është në Bonot 5-vjeçareMërgata për Kosovën”, ka shkruar ministri.

Ndryshe, në korrik 2021 është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën.

Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale./SHQIP.com